Shoqëria civile kërkon unitet institucional, në vend të përçarjeve e përplasjeve politike

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Një grup prej tetë organizatash të shoqërisë civile në Kosovë, kanë bërë thirrje unitet nacional në vend të përplasjeve institucionale në kohën e emergjencës shëndetësore për shkak të koronavirusit.

Në komunikatën e përbashkët, të firmosur nga Demokracia për Zhvillim, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane, Lëvizja FOL, Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, thuhet se inicimi i procedurës së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit të Republikës ka ri-futur në përplasje serioze partitë kryesore politike, gjë që mund të rezultojë me pasojën e një krize institucionale që e rëndon edhe më shumë situatën e krijuar.

“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është akt më ekstrem që buron nga uniteti sublim politik dhe shoqëror ndaj një emergjence nacionale, dhe në asnjë formë nuk duhet përdorur si akt i përçarjes shoqërore për interesat personale dhe politike”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre inicimi i gjendjes së jashtëzakonshme mund të qojë në përplasje më të madhe akterët politikë.

“Në anën tjetër, ne vlerësojmë që inicimi i procedurës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund të motivojë edhe më shumë një përplasje politike ndërmjet akterëve parlamentar. Prandaj, vlerësojmë që nuk ekziston një argumentim i qartë i nevojës për shpalljen e një gjendje të tillë, dhe rolit eventual ndryshe që FSK-ja do të ushtronte në këtë kohë emergjence. Shpallja e një gjendje të tillë mbi të gjitha do të mund të suspendonte disa funksione fundamentale demokratike të rendit tonë institucional, dhe mbi të gjitha mund të cenonte në thelb menaxhimin civil të krizës aktuale. Prandaj, kërkojmë që deri në krijimin e një konsensusi të mirëfilltë politik dhe institucional që një iniciativë e tillë meriton, një gjë e tillë të pezullohet”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se me rëndësi të njëjtë strategjike është edhe ulja e tensioneve në Kuvend, dhe parandalimi i një krize politike që do të mund të rezultonte nga një Qeveri pa mbështetje nga një mazhorancë parlamentare.

“Vlerësojmë që Kosova tash për tash nuk ka kapacitetin e as luksin të përballet me një situatë të rrëzimit eventual të Qeverisë në Kuvend. Prandaj, i kërkojmë kryeministrit Kurti, dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, që së bashku me kreun e shtetit, dhe të gjithë anëtarët tjerë, të ulen dhe ndërtojnë një unitet të plotë menaxherial në Këshillin e Sigurisë të mbledhur në gjendje të rregullt, e jo të jashtëzakonshme, për ta menaxhuar situatën aktuale në kuptimin e shëndetit publik, ekonomik dhe më së shumti social, të kategorive më të prekura. Uniteti duhet të jetë kryefjala e krerëve të shtetit në këtë situatë”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, këto organizata vlerësojnë që Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me një shpejtësi më të madhe në drejtim të hartimit dhe zbatimit të planit të masave të emergjencës së shëndetit publik, sidomos sa i përket krijimit të stoqeve të nevojshme për personelin shëndetësor, rezervave ushqimore shtetërore, dhe karantinimin e detyrueshëm dhe të monitoruar të tërë personave që kanë udhëtuar nga vatrat e koronavirusit, apo që kanë pasur një kontakt direkt me personat e prekur.

“Vlerësojmë që një masë e tillë nuk është duke u zbatuar në mënyrë të detyrueshme e të monitoruar nga një autoritet shtetëror, gjë që po shkakton një pamundësi të ndalimit të shpërndarjes së virusit në masë. Ritheksojmë që ruajtja e një uniteti kombëtar ndërmjet forcave politike në këto momente ka rëndësi të jashtëzakonshme. Një unitet i tillë duhet te jetë mbi qëllimet personale e partiake, e të mos cenojë vlerat fundamentale të ekzistencës institucionale të Republikës së Kosovës në këtë kohë të emergjencës së shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme