Uran Ismaili prezanton 100 vendimet e tij për 100 ditët e para të qeverisjes

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 11:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga PDK-ja Uran Ismaili ka prezantuar sot 100 vendimet e tij në 100 ditët e para të qeverisjes.

Ai ka thënë se së bashku me ekipin e tij do të qeverisin Prishtinën me plan, përkushtim, energji dhe vullnet, pa u ndalur asnjëherë, raporton Ekonomia Online.

“Këto 100 vendime janë zotimi im se do të punoj me bashkëpunëtorët në komunë dhe me qytetarët e Prishtinës që brenda 100 ditëve të kemi një qytet më të pastër e më të sigurt për të gjithë. Do të punojmë me administratën publike dhe të gjithë ata që do të na ndihmojnë në realizimin e këtyre planeve”, ka thënë Ismaili.

“Që kur kam filluar rrugëtimin tim për Prishtinën kam thënë një gjë: ne nuk do të ankohemi por do të shohim përpara që Prishtina të bëhet qytet që konkurron me të ardhmen. Plani për një Prishtinë të gjelbër, digjitale dhe destinacion është i arritshëm. Problemet bazike të Prishtinës do të zgjidhen brenda dy viteve të para të qeverisjes”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se bashkë me ekipën do të punojnë në realizimin e projekteve vizionare që do të rrisin kualitetin e jetës në Prishtinë si dhe do të rrisin shpirtin komunitar në qytet.

“Edhe në kohët më të vështira, Prishtina ka ditë me triumfu ndaj të keqes. Prandaj jam i bindur që me ndihmën e qytetarëve të Prishtinës do ta kthejmë Prishtinën në një qytet ku ne do të ndihemi të lumtur dhe do të ndërtojmë të ardhmen.  Sot zotohem këtu para jush që Prishtina jonë do të jetë shembull i punës, i angazhimit dhe i dashnisë për qytetin dhe njëri tjetrin. Sepse Prishtina na bashkon!”,ka përfunduar ai.

Lista e plotë e 100 vendimeve të Uran Ismailit:

  1. Largimi i rrethojave fizike nga çdo hapësirë e gjelbër publike
  2. Inicimi i procedurave për organizimin e sterilizimit masiv të qenve endacakë
  3. Inicimi i ndërtimit të strehimores për qentë endacakë dhe themelimi i Njësisë Komunale që mundëson lajmërimin/raportimin e qenve endacakë me rrezik për qytetarët, për të organizuar marrjen e tyre, vaksinimin dhe përcjelljen në strehimore
  4. Formimi i ekipit anti-Bullizëm nëpër shkolla, i përbërë nga mësuesit, drejtoria e shkollës, përfaqësuesit e prindërve dhe anëtarët e personelit jo-mësimdhënës
  5. Vlerësimi i gjendjes së infrastrukturës për mbledhjen e mbeturinave dhe kontejnerëve ekzistues
  6. Inicimi i procedurave për futjen në kontratë për mbledhje të mbeturinave të bizneseve në industrinë HoReCa
  7. Krijimi i një grupi punues që merret me hartimin e një plani për fillimin e punimeve në ndërtimin e Spitalit të Prishtinës
  8. Vlerësimi i nevojës për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik efiçient në lagjet dhe fshatrat e Prishtinës
  9. Krijimi i një grupi punues për krijimin e strategjisë së transformimit digjital
  10. Caktimi i grupit punues për krijimin e databazës së artit dhe kulturës së Qytetit të Prishtines
  11. Inicimi i procedurave për organizimin e punonjësve joformalë të pastrimit në shoqata që krijojnë kontrata për kryerjen e shërbimeve të grumbullimit e riciklimit të mbeturinave
  12. Inicimi i konkursit ndërkombëtar për dizajnimin e Rripit të Gjelbër të Prishtinës
  13. Nisja e lirimit te trotuareve të uzurpuara përgjatë linjës nëpër të cilën do të kalojë Rripi i Gjelbër
  14. Themelimi i grupit punues për futjen e lëndës të kodimit në shkolla
  15. Inicimi i procedurave dhe zhvendosje e administratës për ndërtimin e Parkut Qendror
  16. Inicimi i procedurave për themelimin e njësitit për alokim të kopshtarit të lagjes
  17. Subvencionimi vjetor i qerasë deri në vitin 2025 për kompanitë eksportuese të TIK që krijojnë vende të reja pune dhe që kanë mbi 10 punëtorë të kualifikuar në kohën kur aplikojnë për mbështetje
  18. Definimi i hapësirave për ndërtimin e 5 parkingjeve në hyrje të qytetit
  19. Ndërtimi i parkingjeve për biçikleta dhe trotinetë elektrike në Komunë
  20. Caktimi i orarit të veçantë për grumbullimin e mbeturinave nga HoReCa 
  21. Lirimi nga të gjitha pagesat dhe kufizimet për operatorët e taksive që sjellin vetura elektrike
  22. Vlerësimi i nevojës për vendosjen e shportave të xhepit në rrugë dhe lagjet më të frekuentuara të Prishtinës
  23. Kontraktimi për vendosje të kamerave në hapësirat ku aktualisht grumbullohen mbeturinat pa vend
  24. Inicimi i procedurave për krijimin e një zgjidhjeje softuerike për pranimin e pagesave elektronike për të gjitha tarifat, shërbimet dhe taksat qeveritare
  25. Shtrirja e menaxhimit të parkingut në të gjitha lagjet dhe hapësirat publike që përdoren për parkim
  26. Krijimi i nën-departamentit të veçantë për analizën dhe përpunimin e të dhënave në nivel të Komunës (Big Data)
  27. Subvencionimi i çdo iniciative të qytetit digjital që fokusohet në mjedise të të dhënave të hapura
  28. Caktimi i lokacionit për realizimin e projektit te Galerisë së Qytetit 
  29. Caktimi i grupit punues për aplikim për projektet kapitale të sektorit të Kulturës në fondet IPA 3 për projektet si Salla Koncertale, Pallati i Rinisë (Qendra Kulturore), dhe TULLA Hub
  30. Inicimi i procedurave për vlerësimin e nevojës për ndërtimin e çerdheve të reja
  31. Nisja e procedurave për krijimin e një dyqani virtual shumëshërbimësh përmes Kartës së Qytetarit që iu mundëson banorëve të Prishtinës qasje në të gjitha terminalet për shërbimet publike siç është transporti publik, biblioteka dhe të gjitha shërbimet e tjera publike të ofruara nga qyteti
  32. Hapja e konkursit per blerjen e makinave transportuese me të vogla dhe të shpejta
  33. Dizajnimi i pikave informuese turistike
  34. Nisja e negocimit të kontratave me operatorë të transportit publik
  35. Formimi i një grupi punues për krijimin e programit për psikologë në të gjitha shkollat dhe qendrat e mjekësive familjare
  36. Formimi i një grupi punues për planifikimin dhe implementimin e konceptit “Mjek për çdo familje” përmes zonimit
  37. Themelimi i grupit punues për nisjen e ligave të shkollave fillore dhe të mesme me fokus në sportet më të popullarizuara në vend (futboll dhe basketboll) pa anashkaluar as sportet e tjera sipas preferencës së nxënësve
  38. Formimi i një grupi punues për shndërrimin e disa pronave të Komunës në hapësira të komunitetit që mund të mirren me qera nga banorët
  39. Vendosja e stacioneve për mbushjen e biçikletave dhe trotinetëve elektrikë
  40. Inicimi i procedurave për gjetjen e lokacionit të ri për deponi të ndërtim-demolimit
  41. Inicimi i proceseve për një konkurs ndërkombëtar për dizajnimin e TULLA Hub
  42. Inicimi i projektit për zëvendësimin e transportit të shërbimeve komunale me biçikleta elektrike apo kargo-biçikleta elektrike
  43. Krijimi i një grupi punues për vlerësimin e mundësive për zgjerim të paletës së funksioneve në çdo park
  44. Inicimi i procedurave të prokurimit për ndërtimin e 5 parkingjeve në hyrje të qytetit
  45. Organizimi i vizitave të rregullta edukative nga mjekët në shkolla
  46. Inicimi i procedurave për ndërtimin e Teatrit të Qytetit
  47. Inicimi i procedurave për ndërtimin e pishinës olimpike, shtegut për motokrosë dhe gara triathlon 
  48. Inicimi i procedurave për blerjen e kontejnerëve me ngjyrë 
  49. Krijimi i grupit punues për hartimin e rregullores së veçantë të Komunës për dhënien e lejes ndërtimore vetëm për ata të cilët ofrojnë planin e menaxhimit të mbeturinave të konstruktim-demolimit bazuar në vëllimin e ndërtimit dhe/apo demolimit
  50. Inicimi i procedurave dhe krijimin e Sektorit për auditim të efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike komunale dhe banesa kolektive
  51. Caktimi i ekipit punues për krijimin e regullores për art në hapësira publike 
  52. Inicimi i procedurave për subvencionimin anonim dhe digjitalizimin total të procesit 
  53. Krijimi i grupit punues për identifikimin e resurseve të reja për ngrohje, përfshirë biomasën, gazin, panelet solare, mbeturinat, etj.
  54. Rigjenerimi i zonave te banimit / hyrjeve/ fasadave (mirëmbajtja dhe menaxhimi bashkë me NPB)
  55. Vlerësimi i hapësirës për ndërtimin e parkut për qentë dhe kafshët shtëpiake
  56. Caktimi i ekipit punues per projektin e rigjenerimit të Qendrës Historike të Qytetit të Prishtinës; 
  57. Hapja e konkursit për rifunksionalizimin dhe rigjenerimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve
  58. Vlerësimi i mundësive dhe inicimi i procedurave për binjakëzimin me shkolla profesionale ndërkombëtare
  59. Vendosja e oficerëve të sigurisë në secilën shkollë
  60. Trajtimi i zhurmës së lokaleve me orare të fiksuara dhe decibelë në lagjen Qendra dhe Rruga B
  61. Përshpejtimi i procedurave për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore të Termokos përmes energjisë solare
  62. Gjetja e mundësisë hapësinore për ndërtimin e çerdheve të reja publike 
  63. Gjetja e mundësisë hapësinore për ndërtimin e një nënstacioni Policor në Hajvali 
  64. Inicimi i procedurave për ndërtimin e palestrës shumë-funksionale sportive për ushtrime sportive, me disa fusha për sportet si basketbolli, hendbolli, vollejbolli, etj.
  65. Krijimi i një grupi punues prej nutricionistëve për përgatitjen e një menyje të balancuar për fëmijët në shkolla, ku do të përfshihen një pije (ujë apo qumësht), pemë sezonale, dhe meny kryesore me të gjitha vitaminat e nevojshme
  66. Vlerësim i mundësive për mbështetje financiare për funksionalizimin e laboratorëve të nevojshëm për punë praktike.
  67. Inicimi i procedurave për vlerësimin e gjendjes së hapësirave të parkimit për persona me aftësi të kufizuara 
  68. Nisja e procedurave për ridestinimin e objekteve komunale për një funksion të ri si psh. ish-Stacioni i trenit, burgu i Prishtinës, muzeu shkollë-shtëpi/shtëpia e Herticëve, etj. që mund të shndërrohen në muze
  69. Ndalimi i marrjes së ushqimit nga ambientet jashtë shkollës
  70. Krijimi i një grupi punues për krijimin e një kalendari të aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore dhe harmonizimin me kalendarin kulturor në Tiranë, Shqipëri
  71. Kontraktimi i kompanive private që ofrojnë shërbimin e ndarjes së biçikletave dhe trotinetëve elektrikë
  72. Inicimi i procedurave për unifikim të brendit të taksive që veprojnë në kryeqytet dhe centralizimit të shërbimit të porosisë së taksive 
  73. Inicimi i procesit të krijimit të ankandeve/auksioneve për mbështetjen e prodhimit të energjisë elektrike përmes paneleve solare përmes dhënies në shfrytëzim të tokës Komunale
  74. Inicimi i bashkëpunimit me institucionet relevante për digjitalizimin e shërbimit të regjistrimit të automjeteve të banorëve të Prishtinës 
  75. Krijimi i një plani për realizimin e podcast-eve të rregullta mujore për trajtimin e çështjeve me rëndësi për komunitetin, të qasshme në uebfaqen e Komunës
  76. Inicimi i procedurës për prioritizimin e kompanive digjitale vendore në procese të blerjes së produkteve dhe shërbimeve nga Komuna
  77. Hartimi i memorandumeve të bashkëpunimit me punëdhënësit për ofrimin e punës praktike profesionale për nxënësit në vitin e fundit të shkollës së mesme
  78. Anulimi i projektit të Parkut të Aventurave në Gërmi dhe inicimi i zhvendosjes së këtij projekti në zonën e Gollakut për stimulim të turizmit
  79. Subvencionimi i familjeve në Zonën e Gollakut që i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina
  80. Inicimi i procedurave për blerjen e shkollës së parë shqipe në Prishtinë 
  81. Krijimi i grupit punues për hartimin e rregullores e cila ua pamundëson ndërtimtarëve marrjen e lejes së ndërtimit në Komunën e Prishtinës në rast se kapen në flagrancë të hudhjes së mbeturinave në hapësira të ndaluara
  82. Inicimi i kërkesës drejtuar Ministrisë së Financave për rritjen e numrit të aktorëve në Teatrin e Qytetit “Dodona” 
  83. Futja e orës të gatimit në çdo shkollë fillore të paktën një herë në muaj
  84. Rimendimi i lidhjes së lagjes Tophane me Tulltoren dhe shkollën Model – trajtimi i nënkalimit në lagjen Tophane
  85. Nisja e rregullimit të shtratit të lumit që rrjedhë përgjatë fshtrave Grashticë, Makofc, Llukar dhe ndërtimi i shëtitores buzë atij lumi
  86. Vlerësimi i nevojave të shkollave fillore dhe të mesme në lidhje me investimet infrastrukturore si renovimi apo furnizimi me material sportiv 
  87. Hartimi i një grupi punues për futjen e orës mësimore për internet të sigurt në çdo shkollë për nxënësit, arsimtarët dhe prindërit
  88. Caktimi i komisionit për blerjen e veprave të koleksionit të qytetit të Prishtinës
  89. Inicimi i proceseve për një konkurs ndërkombëtar për dizajnimin e parqeve të reja
  90. Caktimi dhe qartësimi i përgjegjësive për mirëmbajtjen adekuate që përfshin pastrimin, riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve të prishura
  91. Inicimi i procedurave për gjetjen e lokacionit për ndërtimin e qendrës për ndarjen dhe përpunimin e mbeturinave të vëllimshme
  92. Inicimi i procedurave për realizimin e sistemit efiçient të ujitjes së parqeve dhe hapësirave të tjera të gjelbra
  93. Shtimi i pikave të ndalesës së autobusëve dhe rregullim i të gjitha pikave të ndalesës me infrastrukturë përkatëse (stacione, shenjëzim)
  94. Vlerësimi i nevojave për ambulanta në lagjen Veternik dhe fshatrat në Zonën e Gollakut
  95. Inicimi i procedurave për sistemin digjital të regjistrimit për biçikleta
  96. Vlerësimi i platformave e zgjidhjeve softuerike ekzistuese me qëllim të decentralizimit të tyre
  97. Krijimi i ansamblit të qytetit
  98. Krijimi i një ekipi për menaxhimin e hapësirave të destinuara për organizime me ton argëtues
  99. Krijimi i një zgjidhjeje softuerike mbështetëse ose zgjerimi i uebfaqes ekzistuese të Komunës për organizimin e proceseve të ndërtimit dhe planifikimit urbanistik, duke iu mundësuar qytetarëve qasje të plotë digjitale në planet rregullative të lagjeve të tyre, si dhe përfshirjen në draftim e diskutim të ndryshimeve urbanistike para votimit të tyre në Asamblenë Komunale
  100. Krijimi i databazës së vullnetarëve të Komunës që mund të angazhohen në aktivitetet e ndryshme në nevojë për të krijuar përvojë praktike dhe të kuptojnë qeverisjen komunale
Lexo më shumë:

Të ngjashme