Uran Ismaili prezanton projektin për Qendrën Digjitale “Tulla HUB”

Prishtinë | 04 Tet 2021 | 11:51 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga PDK-ja Uran Ismaili ka prezantuar projektin për ndërtimin e Qendrës Digjitale në Prishtinë “Tulla HUB”, raporton Ekonomia Online.

Ismaili ka thënë se në këtë Qendër e kanë ideuar krijimin e një hapësire të përbashkët pune, kreativiteti e inovacioni për të gjithë pa dallim.

“E kemi qujtë TULLA Hub; TULLA – si simbolikë e Tulltores së vjetër, si dhe Hub për shkak se do të ndërlidhë komunitetin, ekspertizën dhe potencialin. Kjo sipërfaqe prej 4 hektarësh do të shndërrohet në një hapësirë shumë-funksionale dhe kreative për t’i mbështetë dhe stimulu ndërmarrësit e rinj”, ka thënë Ismaili.

“Me TULLA Hub, në zonën qendër të Prishtinës, secili qytetar dhe turist do të ketë mundësi dhe hapësirë për të ndërtu bashkëpunime të reja, të cilat edhe rrisin potencialin e të rinjve tanë. Ky projekt do të ketë edhe impakt ekonomik sepse do të gjenerojë vende të reja të punës”. 

“Përveç aspektit qendror digjital, TULLA Hub do të reflektojë edhe vizionin tim të përgjithshëm për Prishtinën e gjelbër dhe destinacion”, ka shtuar ai.

Krejt ky vizion sipas Ismailit do të mund të realizohet deri në vitin 2024.

Lexoni fjalimin e plotë:

Përshëndetje të gjithëve, 

Në emër të ekipit këtu me mu sot, ju falenderoj për vëmendjen dhe prezencën në këtë lokacion të rëndësishëm për planin tonë për Prishtinën digjitale. 

Për me prezantu projektin tonë sot, janë me mu edhe katër asambleistë të “Prishtina na Bashkon”: Besfort Ahmeti, Ilir Misini, Rina Kajtazi, Genc Vitaku dhe Laura Bilalli.

Për shkak që është epiqendër e shkollimit universitar dhe e kompanive kryesore digjitale, Prishtina absorbon potencialin më të madh për inovacion. 

Krahas projekteve, si: 

  • përfundimi i digjitalizimit të proceseve arsimore brenda “trekendëshit mësues-nxënës-prind”; 
  • realizimi i kartelës së qytetarit për shfrytëzim digjital të të gjitha shërbimeve të komunës; 
  • centralizimi i të gjitha platformave ekzistuese dhe atyre të rejave në një adresë të vetme për qytetarin e Prishtinës; 
  • subvencionimi i qerave të kompanive eksportuese të TIK-ut dhe mbështetjeve tjera, ne do të promovojmë edhe potencialin e Prishtinës për ta bërë kryeqendër të teknologjisë dhe kreativitetit në rajon. 

Jemi në hapësirat e Tulltores së vjetër për të shpalosë më në detaje idenë tonë tashmë të njohur: TULLA Hub. 

Në konsultim të afërt me shumë pjesëmarrës aktivë të komunitetit të teknologjisë informative, si dhe atij kreativ në Prishtinë, dhe me kolegët e mi kandidatë për asamble, e kemi ideu krijimin e një hapësire të përbashkët pune, kreativiteti e inovacioni për të gjithë pa dallim.

E kemi qujtë TULLA Hub; TULLA – si simbolikë e Tulltores së vjetër, si dhe Hub për shkak se do të ndërlidhë komunitetin, ekspertizën dhe potencialin. Kjo sipërfaqe prej 4 hektarësh do të shndërrohet në një hapësirë shumë-funksionale dhe kreative për t’i mbështetë dhe stimulu ndërmarrësit e rinj.

Përveç aspektit qendror digjital, TULLA Hub do të reflektojë edhe vizionin tim të përgjithshëm për Prishtinën e gjelbër dhe destinacion. 

Përveç Objektit të Administratës, Objektit Sportiv e Kulturor TULLA Hub do të ketë edhe një shteg për vrapim dhe biçikleta në gjatësi prej 700 metrave. 

Do të ketë edhe garazha, vend për çlodhje, hapësira për ulje dhe kopsht botanik. Do të ketë teatrin e hapur, skateparkun, restaurante dhe taverna, si dhe për sportistët do të ketë edhe fusha basketi e tenisi. 

Arkitektura e saj do të jetë e dizajnuar për të ardhmen, por me konsideratë për të kaluarën. Do të ketë edhe një muze me artefakte të tymtarëve si simbole historike. 

Në thelb, ky projekt synon që një gjigant të dikurshëm, tashmë jofunksional, t’ia vë në sherbim të ardhmes së qytetit.

Përveç këtyre, TULLA Hub do të jetë një urë lidhëse mes disa lagjeve të qytetit, në të cilat përgjatë viteve nuk është investuar mjaftueshëm. 

TULLA Hub zgjeron qendrën e Prishtinës dhe iu jep mundësi lagjeve përreth, si Kodra e Trimave, Xhamia e Llapit, Tophanja dhe Arbëria, që të përfitojnë nga investimet publike, moderne dhe të së ardhmes. Në mungesë të investimeve publike, është kriju pabarazi mes lagjeve të qytetit. Kështu, TULLA Hub do të jetë një hapësirë që ulë pabarazinë mes lagjeve dhe që banorëve iu jep një simbol për t’u krenuar. 

Ky projekt shkon përtej ndërtesës si fasadë. Prekë mentorimin, praktikën profesionale, ideimin e inkubimin, në një anë, si dhe organizimin, inspirimin kreativ dhe stimulimin e mendimit kritik në anën tjetër. 

Me TULLA Hub, në zonën qendër të Prishtinës, secili qytetar dhe turist do të ketë mundësi dhe hapësirë për të ndërtu bashkëpunime të reja, të cilat edhe rrisin potencialin e të rinjve tanë. Ky projekt do të ketë edhe impakt ekonomik sepse do të gjenerojë vende të reja të punës. 

Krejt ky vizion do te mund te realizohet deri ne vitin 2024.

Të ngjashme