Urdhërarresti për Molliqajn, PSD thotë se s’ka marrë ftesa: Ai do të vazhdojë agjendën e rregullt

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi ka reaguar pas lëshimit të urdhërarrestit ndaj kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj. Ajo tha se ky urdhërarrest është lëshuar pa asnjë arsye nga Themelorja.

Kuçi tha se janë njoftuar nga mediat se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Molliqajt dhe ka njoftuar se ai nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga kjo gjykatë.

“Gjykata dhe organet e policisë e kanë adresën e saktë të banimit të z. Molliqaj, atë të zyrës së tij të punës dhe të gjitha kontaktet e tij, mirëpo qartazi ata nuk i kanë përdorur ato dhe kanë lëshuar pa asnjë arsye këtë urdhërarrest”, ka shkruar Kuçi.

Ajo tha se Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër.

Postimi i plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë pa asnjë arsye ka lëshuar urdhërarrest ndaj z. Molliqaj!

Sot jemi njoftuar përmes mediave se ndaj Kryetarit të PSD-së, z. Dardan Molliqaj është lëshuar një urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Dëshiroj të njoftoj opinionin publik se z. Molliqaj deri më tash nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga kjo gjykatë në përputhje me procedurën përkatëse në fuqi, e rrjedhimisht lëshimi i këtij urdhërarresti duket që është nxjerrë në shpërputhje me kushtet e parapara ligjore. Ftojmë gjykatën të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave. Mungesa e një dëshmie të tillë, dëshmon qartë se të drejtat e z. Molliqaj i janë cenuar nga lëshimi i këtij urdhërarresti.
Gjykata dhe organet e policisë e kanë adresën e saktë të banimit të z. Molliqaj, atë të zyrës së tij të punës dhe të gjitha kontaktet e tij, mirëpo qartazi ata nuk i kanë përdorur ato dhe kanë lëshuar pa asnjë arsye këtë urdhërarrest.
P.S. Njoftojmë opinionin se z. Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër.

Të ngjashme