Vajza e biznesmenit që financon Vetëvendosjen nuk u mbajt fare në karantinë

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Dallaveret dhe problemet me menaxhimin e Qendrës Studentore ku po mbahen qytetarët e Kosovës që po vijnë nga vendet e jashtme të botës, kanë filluar vetëm të dalin në sipërfaqe, shkruan Gazeta Metro.

Disa qytetarë të riatdhesuar po kanë probleme, kurse disa të cilët falë librezave partiake, lidhjeve me pushtetin, apo për arsye të tjera nuk po vendosen në karantinë, por ata po lirohen para kohe, madje disa nuk po dërgohen hiç në karantinë.

Menaxhimi i karantinës në Qendrën Studentore nga ministria e Shëndetësisë dhe ajo e punëve të brendshme po thuhet se ka dështuar rëndë, kjo pas vdekjes së 26 vjeçarit nga Gjilani, Agon Musliut.

Deputetja e PDK’së, Valdete Idrizi ka shpalosur sot disa informacione të reja konkrete, për trajtim selektiv e të pabarabartë të qytetarëve gjatë menaxhimit të karantinës.

Në mesin e tyre është edhe vajza e biznesmenit të njohur me inicialet SH.S., e cila nuk dërguar në karantinë për shkak të intervenimit të babait të saj ku ai financon Lëvizjen Vetëvendosje, kështu po thotë deputetja Idrizi.

Vajza e biznesmenit që financon Vetëvendosjen po thuhet nga Idrizi se nuk u dërguar fare në karantinë.

Po ashtu personi me inicialet B.H. është liruar nga detyrimi i karantinimit meqë atij është falsifikuar mosha qëllimisht në listat e udhëtarëve të riatdhesuar duke u shënuar si 70 vjecar, përderisa ai në të vërtetë është 35 vjecar.

Një tjetër qytetar i moshës së mesme, me inicialet K.D. i ardhur nga Gjermania javën e kaluar, është liruar falë lidhjeve dhe nuk ka qëndruar në karantinë.

Kujtojmë se të gjitha këto i deklaroi në një konferencë për shtyp deputetja Valdete Idrizi, e cila kërkoi hetim për vdekjen e të riut nga Gjilani dhe shkeljet e abuzimet që po ndodhin në Qendrën e Studentëve.

Të ngjashme