Vajza që la Norvegjinë për Vetëvendosjen

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 17:27 | Nga

Vlora Haxhimehmedi është 33 vjeçare dhe vjen nga komuna e Mitrovicës. Ajo është kthyer nga Norvegjia për t’u angazhuar në politikë në vendlindjen e saj, përkrah Lëvizjes Vetëvendosje.

Që nga viti 1991 ajo kishte emigruar së bashku me prindërit dhe dy vëllezër në Suedi, duke u shpërngulur më pas në Norvegji në vitin 1993, ku ka qëndruar deri më tani.

Vlora është angazhuar në Lëvizjen Vetëvendosje, që nga qershori i vitit 2005 duke ndihmuar këtë organizatë në degën e saj në Norvegji.

Kur ky subjekt politik hyri në bashkëqeverisje me AKR-në në Komunën e Mitrovicës, ajo u emërua Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë, me ç’rast edhe është shpërngulur në Kosovë dhe ushtron këtë funksion.

Vlora thotë se përvoja në institucionin shëndetësor publik ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme për të, duke i ndihmuar kështu që të njohë për së afërmi problemet e qytetarëve në vend.

“Duke parë rëndësinë e kontributit dhe inkuadrimit të bashkatdhetarëve, Lëvizja e pa të arsyeshme të më ftojë për të ushtruar detyrën e Drejtoreshës. Si shqiptare me vendbanim 26-vjeçar jashtë Kosovës, kështu e pashë një mundësi për të implementuar mënyra të reja të sistemit të punës dhe rutinës”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj pavarësisht problemeve me të cilat është ballafaquar pas kthimit në vendlindje, ajo ka arritur që të adaptohet dhe të punojnë me bashkatdhetarët e saj.

“Edhe pse kthimi ishte i vështirë në fillim shkaku i mënyrës së ndryshme të të punuarit, sidomos si vajzë, si e rritur dhe e shkolluar jashtë Kosovës dhe me mentalitet të përzier shqiptaro-norvegjez, arrita të adaptohem falë mbështetjes së madhe të shokëve dhe shoqeve ne Lëvizje. Së bashku me ta krijuam mundësinë për të bërë ndryshime rrënjësore në insitucionin parësor shëndetësor në Mitrovicë”, ka thënë Haxhimehmedi.

Tani Vlora është kandidate për deputete nga radhët e kësaj Lëvizje. Ajo mendon që roli i diasporës në ndërtimin e shtetit të Kosovës është shumë i madh.

“I kisha sugjeruar të gjithë bashkatdhetarët me vendbanim në mërgim që te bëjnë të njëjtën përvojë. Kosova ka nevojë për pikëpamje të ndryshme që çojnë në zhvillim të qëndrueshëm, dhe jam e bindur që bashkatdhetarët mund të luajnë një rol kyç në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Haxhimehmedi ka përfunduar Master në shkenca juridike në Universitetin e Oslos në Norvegji. Nga viti 2008 – 2016 ka punuar si avokate dhe Tax Manager në Ernst & Young.

Gjithashtu dy vitet e fundit ka punuar në Wilhelmsen Ship Management (Norway) AS në Lysaker në Norvegji si avokate/International Crew Tax Manager.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme