Valdete Idrizi mbështetet unanimisht nga strukturat e PDK-së në Mitrovicë

Mitrovicë | 24 Gus 2017 | 19:56 | Nga

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar të enjten pasdite kandidaten për kryetare të komunës së Mitrovicës nga radhët e PDK-së para strukturave udhëheqëse të degës në Mitrovicë.

Të gjithë përfaqësuesit e strukturave të PDK-së në Mitrovicë i dhanë mbështetje unanime kandidates për kryetare të komunës nga radhët e PDK-së Valdete Idrizi, duke u shprehur të bindur se ajo do të jetë kryetare e re e Mitrovicës në zgjedhjet e 22 tetorit.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se zonja Valdete Idrizi është kandidatja më e përgatitur dhe më e afërt për të qeverisur me qytetarët e komunës më strategjike në Republikën e Kosovës.

Ai tha se zonja Idrizi gëzon një mbështetje shumë të madhe qytetare dhe do të arrij ta zbatojë vizionin e Partisë Demokratike për një zhvillim të hovshëm ekonomik në qytetin industrial me potencial të jashtëzakonshëm.

Veseli tha se kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës gëzon mbështetje të plotë edhe nga gjithë bashkëpartiakët dhe do të zgjerojë mbështetjen nga të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, falënderoi kryetarin e PDK-së dhe strukturat partiake në Mitrovicë për besimin e dhënë ndërsa theksoi se do të angazhohet pandërprerë për të krijuar perspektivë për qytetarët e Komunës së Mitrovicës.

Ajo tha se së bashku me kolegët e degës së PDK-së janë duke përgatitur planin më të mirë qeverisës I cili do të garantoj zhvillim të hovshëm ekonomik për Mitrovicën si një komunë me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës si parti shtet formuese.

Në këtë takim të strukturave të PDK-së, ishte e pranishme edhe kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Qaushi, e cila po ashtu mori mbështetje të strukturave partiake të cilat u zotuan që ti ndihmojnë në rritjen dhe fuqizimin e rolit të qytetarëve shqiptarë në pjesën veriore të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme