Valdete Idrizi merr mbështetje nga fondacioni “Stone and Compass” për zhvillimin e Mitrovicës

Mitrovicë | 13 Tet 2017 | 10:08 | Nga

Reputacioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar që gëzon kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka bërë që ajo të merr mbështetje nga organizata të fuqishme edhe në këtë kohë fushate për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Në këtë kontekst, drejtuesit e fondacionit “Stone and Compass”, kanë shprehur gatishmërinë për t’i qëndruar në krah Valdete Idrizit, në krijimin e mundësive të qëndrueshme për qytetarët mitrovicas.

Drejtuesit e këtij fondacioni ndërkombëtar që merret me hartimin e projekteve të qëndrueshme për shoqërinë dhe që aktualisht janë duke zbatuar 22 projekte në 11 vende të ndryshme të botës, janë shprehur krenar që mund ta ndihmojnë kandidaten e PDK-së për projektet në të mirë të qytetarëve. “Misioni ynë është që t’i qëndrojmë përkrah znj. Idrizi, nëpërmjet projekteve sociale dhe ekonomike që do t’i zgjerojnë mundësitë për të gjithë”, thuhet në letrën mbështetëse të këtij fondacioni, të nënshkruar nga themeluesi, Robert Goodwin.

Aty ceket se qëllimi është të ndërtohet një qendër rinore që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës. Poashtu përmendet një projekt tjetër për rinovimin e hapësirave të jashtme, duke e bërë qytetin më atraktiv dhe gjithashtu duke hapur vende të reja pune për të rinjtë.

Në këtë letër mbështetëse nga ky fondacion, shpaloset edhe qëllimi për krijimin e një qendre të “Stone and Compass” në qendër të Mitrovicës, që do të ndihmoj që Mitrovica të lidhet me qytete të tjera ku janë duke u realizuar projekte të ndryshme. “Kjo do të ndihmoj që qeveria dhe bizneset të krijojnë partneritete të reja ekonomike me organizatat ndërkombëtare dhe të stimulojnë me tej ekonominë dhe bashkëpunimin ndërkulturor”.

Në anën tjetër, kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi shprehet shumë e lumtur me mbështetjen e ofruar nga ky fondacion si dhe nga shumë organizata të tjera me nam ndërkombëtar. “Vizioni ynë për Mitrovicën e zhvilluar po gjen mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtar, për çka jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë nga zemra. Ne do ta rrisim partneritetin me këto organizata në mënyrë që Mitrovica të bëhet një vatër e projekteve të mëdha që patjetër do të ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Idrizi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme