Valon Murati propozon modelin e Beneluksit për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 23:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim,Valon Murati, deklaroi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, tashmë është shteruar.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai u shpreh se megjithatë këto mbledhje e kanë arritur efektin e dëshirueshëm, ndërsa tani duhen krijuar mekanizma të përbashkët.

“Nuk mund ta mohojmë që ka pasur rezultate. Kanë një avancim, jo sa kemi dëshirë, por mendoj që duhet të shkojmë drejt asaj në Integrime Kombëtare – me këtë nënkuptoj krijimin e mekanizmave të përbashkët, si shembull ta marrim Beneluksin”.

“Po ashtu një ide është që p.sh. në Shkodër ose në Prizren të krijojnë diçka si Komisioni Evropian. Të krijojnë burokracinë e përbashkët kombëtare që merret me këto marrëveshje, me realizimin e tyre, t’i rrijnë gati ministrive, etj”.

“S’kemi nevojë ta zbulojmë ujin e nxehtë. E kemi model Beneluksin, BE-në, krejt janë model i njëjtë. Të krijojmë mekanizma të përbashkët duke u nisur nga modelet më të mira. Veç merre BE-në, zvogëloje për nga sasia e financave dhe fute në projekte, qofte në universitet si tipin Erasmus – tipin e shkëmbimeve”.

“Unë nuk i shoh me skepticizëm, por mendoj që asnjë bashkëpunim rajonal nuk e zëvendëson zgjedhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Të ngjashme