Valon Syla: Albin Kurti sot e goditi për herë të dytë LDK-në

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Valon Syla, e ka cilësuar takimin e sotëm mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit potencial Albin Kurtit si “të ftohtë”.

“Takimi ishte i ftohtë duke pasë parasysh përvojat e mëhershme të takimeve në presidencë dhe atyre të mëhershme për krijimin e koalicioneve qeveritare”.

“Ne e kemi parë presidentin Hashim Thaçi që zakonisht del në fillim të korridorit për t’i pritur mysafirët. Këtu e kemi pasë një qasje krejt tjetër ku presidenti Thaçi qëndronte i ulur te oxhaku dhe krejt i futur në dhomën zyrtare të presidencës ku e priti Albin Kurtin në një takim formal”.

“Në këtë takim, presidenti pritej që ta nominonte kandidatin për kryeministër që me çdo gjasë do të duhej të ishte Albin Kurti. Ai këtë nuk e bëri”.

“Në një mënyrë kjo procedura dhe protokolli demokratik, siç parashihet edhe me Kushtetutë, është kryer, por pa ndonjë risi ose ndryshim te Albin Kurti sepse nga ajo që doli menjëherë pas takimit kishte diskrepancë me atë çka e ka dorëzuar”.

Syla në Info Magazine të Klan Kosovës e ka cilësuar propozimin e Albin Kurtit me emrat se kush pritet t’i drejtojë ministritë që i takojnë partisë së tij si një goditje tjetër për Vetëvendosjen.

“Në anën tjetër e kemi një LDK të cilën e konsideron si partner potencial dhe të cilën në një mënyrë e ka lënë para aktit të kryer. Ia ka emëruar ministrat pa i ditur fare, në të njëjtën mënyrë se si e kishte nominuar Glauk Konjufcën për kryeparlamentar”.

“Është hera e dytë që të vetmit partner potencial për qeverisjen e ardhshme të Kosovës i dha goditje. Hera e parë ishte nominimi i Glauk Konjufcës pa i lajmëruar, derisa sot i kemi emrat e ministrave”.

“Këtu shihet një josinqeritet i thellë duke e marrë parasysh që Albin Kurti përsëri nuk e nominoi veten për kryeministër”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme