Vasfije Krasniqi-Goodman në Kuvend: Duhet t’iu vijë turp atyre që po na viktimizojnë çdo ditë

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 11:43 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, para deputetëve të Kuvendi tha se duhet t’iu vijë turp të gjithë atyre që i viktimizojnë çdo ditë, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi-Goodman në seancën e veçantë me rastin e Ditës së Gruas, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kërkoi nga shtetit që t’i  mbështesë.

“Tashmë ju e dini se në shumë vende të botës kam treguar të vërtetën, por asnjëherë nuk janë ndier të fyera. Ndihem mirë kur ka anëtarë dhe burra që mbrojnë gratë e tyre, por ka burra që nuk i mbrojnë gratë e tyre”.

“Nuk mund t’i them fjalët e atyre që ua thonë grave të tyre, sepse kanë dalë fjalë që na kanë dëmtuar shumë. Shoqëria jonë na forcon që të jemi nëna të mira e motra të mira. Ku ishit ju kur ju dhunua gruaja? Ku e morët guximin të na përqeshni sërish”, pyeti ajo.

“Duhet me ju ardhë turp gjithë atyre që po ma viktimizoni çdo ditë. Ne kërkojmë nga shteti të na përkrah dhe të na mbështetë sepse ajo çfarë na ka ndodhur neve ka qenë krim e ju nuk keni qenë aty me na mbrojtë”.

“Ne jemi duke e bërë një punë që ju të tjerët nuk jeni në gjendje për ta bërë për nënën tuaj, motrën tuaj”, tha Krasniqi-Goodman.

Ajo pati edhe një kërkesë për deputetët që të merren më seriozisht me krimet e luftës, raporton EO.

“Ju lus deputetë që krimet e luftës t’i merrni më seriozisht. Mjaft më që 20 vjet nuk merreni me këto çështje. Në rastin tim nuk keni bërë asgjë”, tha ajo.

Të ngjashme