Vazhdimi i dialogut i ndërlidhur me formimin e Qeverisë së re të Kosovës

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është gati se i pamundur pa formimin e Qeverisë së re të Kosovës, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, sipas tyre, padyshim që do të ketë ndikim dhe efekte edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve me synimin që marrëveshja finale për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të nënshkruhej gjatë këtij viti.

Thirrjet e tyre ishin shpeshtuar sidomos nga fundi i nëntorit të vitit 2018, kur Prishtina zyrtare vendosi taksën 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia. Ky vendim i Prishtinës zyrtare u cilësua i papranueshëm nga Beogradi, i cili tashmë e ka vënë kusht shfuqizimin e taksës për kthimin në dialog.

Aktualisht Kosova ka një qeveri dhe kryeministër në dorëheqje. Kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë një veprim në bazë të cilit, do të sqarohej nëse vendi përfundimisht do të shkojë në zgjedhje të reja apo do të ketë tentativa për formimin e një qeverie të re.

Derisa në Kosovë ka një gjendje të tillë politike, analistët nuk parashikojnë mundësi që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë.

Të ngjashme