Vazhdimi i dialogut, thirrja që vjen për Osmanin bashkë me urimin nga zyrtarët e BE-së

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Kur të vjen herën tjetër për vizitë Oliver Varhelyi do ta takojë Vjosa Osmanin në zyrë tjetër dhe me postin e presidentes që do ajo do ta mbajë për pesë vjet.

Para se të ndodhë kjo Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi uroi Osmanin për zgjedhjen për të qenë në krye të Presidencës së Kosovës dhe ia përmendi një diçka që e përcjell çdo lider kosovar.

“Urime për presidenten Vjosa Osmani. Bashkimi Evropian pret të punojë me Presidenten, Qeverinë e Kuvendin e ri për ta çuar përpara agjendën evropiane bashkë me reformat në interes të popullit të Kosovës. Vazhdimi i dialogut me Beogradin këtu është çelësi” shkruan Varhleyi në urimin e tij në Twitter.

Se negociatat me Serbinë janë të rëndësisë së veçantë ndaj të cilave ndër vite shefja e re e shtetit kishte kritika të forta e thotë dhe kryediplomati i Evropës nga Brukseli.

“Urime për Vjosa Osmanin në zgjedhjen e saj Presidente e Kosovës. Bashkimi Evropian vazhdon ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj të integrimit në BE. Me institucionet e reja të formuara, Kosova tani vendosmërisht mund të fokusohet në reformat e duhura dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja” thotë në njoftimin e tij shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Se me çfarë formule kryetarja e shtetit do jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel të cilat pritet të marrin tempo tjetër nga muaji maj mbetet të vendoset.

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë sinjale e zotime sikur ai ndaj emisarit evropian për dialogun Miroslav Lajçak se do përkushtohet në bisedime me Beogradin.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të marrë më 27 qershor 2019, asnjë instancë tjetër shtetërore nuk mund të udhëheqë me dialogun përpos kryeministrit.

Gjykimi u mor pasi që opozita e atëhershme VV e LDK e dërguan në Kushtetuese, ekipin negociator për dialog që u shpall antikushtetues.

Vetë Osmani, gjatë fushatës parazgjedhore tha se kryeministri udhëheq me dialogun por me koordinim të plotë me presidentin.

Në mesin e dhjetë zotimeve të koalicionit VV- Lista Vjosa hyn dhe dialogu. Dyshja Kurti-Osmani aty zotojnë angazhimin për siç thuhet përfaqësim të unifikuar e gjithëpërfshirës në proces.

Të ngjashme