Vazhdojnë reagimet nga serbët pasi Thaçi u ul afër liderëve botërorë

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Në Serbi po vazhdon të jetë temë aktuale politike vendosja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rend me liderët kryesorë botërorë në Paris me rastin e ceremonisë së shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Madje atje po e konsiderojnë si “turpërim” të shtetit serb, faktin që Aleksander Vuçiq, i është vendosur ulësja afër liderëve me më pak rëndësi.

I fundit që ka reaguar në lidhje me këtë çështje, është ministri i Mbrojtjes, Aleksander Vulin.

Madje, sipas tij, Vuçiq ka bërë një gjest shumë të matur që ka vendosur të qëndrojë në ceremoni pas ngjarjes që ka ndodhur.

“Nuk dua të them se jam i ofenduar më shumë se ndonjë qytetar tjetër i Serbisë. Sigurisht që ishte e vështirë, më e rëndë ishte për presidentin. Ai bëri një veprim të guximshëm kur vendosi të qëndrojë aty”, ka thënë Vulin.

E siç thotë Vulin, ai që e ka vendosur presidentin Thaçi në atë pozicion, duhet të ndihet i turpëruar.

Në anën tjetër, presidenti Thaçi këtë e ka konsideruar si shfaqje të mrekullueshme të shtetit të Kosovës.

Dje, ambasadori francez në Beograd ka kërkuar falje në lidhje me këtë, duke thënë se Franca e respekton popullin serb, dhe se një gjë e tillë do të vërtetohet edhe me vizitën e Macron në Beograd.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme