“Vazhdon dhënie e tenderëve miqve dhe familjarëve të politikanëve në pushtet”

Prishtinë | 07 Dhj 2018 | 11:55 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një tryeze diskutimi shpalosi punimin rreth politikave, “Integriteti, elementi kyç në përmirësimin e Prokurimit Publik”, që ilustron politikat aktuale në menaxhimin e parasë publike përmes prokurimit publik, problemet me të cilat ballafaqohet ky proces, por mbi të gjitha adreson nevojën e rritjes së integritetit në këtë sektor.

Bazamenti i këtij punimi buron nga punëtoria e përbashkët me përfaqësues të institucioneve qeveritare, të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediat, por edhe nga praktikat e mira ndërkombëtare të cilat kanë prodhuar rezultate në ngritjen e integritetit institucional.

Me këtë rast, Arben Kelmendi, Menaxher i Programit Kundër Korrupsion të KDI-së, ka thënë se vetëm gjatë vitit 2017, në Kosovë janë zhvilluar 10,214 aktivitete të Prokurimit nga 163 Autoritete Kontraktuese.

Vlera e këtyre prokurimeve, duke përfshirë edhe pjesën e alokuar për 2017, për ndërtimin e Autostradës “Arbër Xhaferi” është 641,298,561.48 EURO apo 35% të buxhetit të alokuar për të njëjtin vit (1,810,131,478.00 Euro).

“Kjo përqindje tregon se Prokurimi Publik përbën një nga veprimtaritë kryesore në shpenzimin e parasë publike. Për më tutje, ai shtoi se prokurimi publik në Kosovë vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit pavarësisht progresit të bërë gjatë viteve të fundit në adresimin e këtij fenomeni. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare ligjet janë ndryshuar disa herë dhe ato janë në përputhshmëri me acquis të BE-së”, shtoi ai.

Ndërsa Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës ÇOHU, theksoi se nevoja për profilizim të prokurorëve dhe gjyqtarëve për prokurim publik është evidente, po ashtu ka shtuar se ka nevojë për ngritje të resurseve njerëzore respektivisht ekspertë të fushës së prokurimit si staf ndihmës për gjyqësorin.

”Zbatimi i normës së kodit penal që merret me shkeljet në fushën e prokurimit publik do të ndikonte në përmirësim të fushës së prokurimit në mënyrë që të jetë më transparente dhe të ketë më pak shkelje në këtë fushë”, vlerësoi ai.

Kurse Diana Metushi-Krasniqi nga KDI ka thënë se edhe pse Kosova ka disa nivele të llogaridhënies në menaxhimin e financave publike.

Sipas saj, raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, tregojnë për dhënie të tenderëve miqve dhe anëtarëve të familjes së politikanëve në pushtet, ose të zyrtarëve të prokurimit, mosrespektim të ligjit nga autoritetet kontraktuese, transparencë të kufizuar, manipulim të ofertave, menaxhim të dobët të kontratave, rregullim të çmimeve pas dhënies së kontratave, presion politik, kapje të shtetit, problemet me platformën elektronike të prokurimit dhe dhe mosndëshkim të vazhdueshëm për shumë nga këto shkelje e parregullësi.

Meqë këto probleme janë të ndërlidhura ngushtë me faktorin njeri, ajo ka pohuar se është esenciale fuqizimi i integritetit dhe llogaridhënies në këtë sektor të rëndësishëm në shpenzimin e parasë të tatimpaguesit.

“Integriteti, elementi kyç në përmirësimin e Prokurimit Publik” konkludon se fokusimi në forcimin e integritetit në prokurimin publik është thelbësor për t’i dhënë fund kësaj gjendje. KDI rekomandon që të procedohet me themelimin e Byrosë së Integritetit brenda Komisionit Rregulativ të Prokurimit Publik. Byroja e Integritetit të Prokurimit Publik do të funksiononte si një qendër kombëtare e ekspertizës dhe do të mbështeste Autoritetet Kontraktuese në zbatimin dhe kontrollin e përgjegjësive të tyre në fushën e integritetit dhe në promovimin e tij si vlerë fundamentale e qeverisjes së mirë.

 

Të ngjashme