Vazhdon fushata e bllokimeve nga ministrja Gërvalla, nis të bllokojë edhe qytetarë

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar ka njoftuar se ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka bllokuar në rrjetin social “Twitter”.

Andi Haxhiu ka shkruar në Facebook se profili zyrtar i ministres Gërvalla ia ka bllokuar atij qasjen, pas një kritike që ai kishte bërë në drejtim të ministres, në rrjetin social “Twitter.

“A kam diçka gabim në këtë situatë, a po më tregoni ju lutem? Këtu mundeni me e pa se pse jam bllokuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Lëkurën e hollë, znj. Ministre. Shumë lekurën e hollë.  Guximin me u ballafaqu me Rusinë e Bjellorusinë e kishe. Qe besa edhe me ju shpallë luftë deshte. Por, se duron nje ‘lutje’ prej nje studenti qe mos me fol prej pozicionit te analistes ne Tëitter per gjera qe nuk i kupton, a?! Po harron qe je Ministre e Punëve te Jashtme, e jo në panel ne media”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Jokompetente. Fatkeqësisht, me gjasë edhe me tendenca homogjenizuese ne mendim. Eh, ata që dojnë homogjenitet ne mendimin e njerzve që i përcjellin, duan hegjemoni. E unë hegjemoninë dhe uniformitetin nuk mund ta respektoj.  Njerëzit e rinj’, zakonet e vjetra”, ka shkruar ai.Reklamë

Ai ka bashkëngjitur edhe foto nga shkrimi që kishte shpërndarë në Twitter, si pasojë e të cilit thotë se Gërvalla e bllokoi.

Ndryshe, edhe gazetari Berat Buzhala sot gjatë ditës ka shkruar në Facebook se ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, e ka bllokuar në rrjetin social “Twitter”.

Buzhala ka thënë se Gërvalla e ka bllokuar vetëm për shkak të kritikës së bërë ndaj saj për qëndrimet e fundit si ministre.

Buzhala gjithashtu ka përmendur edhe vendimin e një Gjykate në Amerikë që ia kishte ndaluar ish-presidentit, Donald Trump, bllokimin e qytetarëve, meqë ishte konsideruar se liria e fjalës është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër kur bëhet fjalë për interesin publik.

Derisa në fund ka bërë thirrje që të reagojnë edhe shoqatat e gazetarëve lidhur me këtë.

Njëjtë si Gërvalla, ka vepruar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para pak muajve.

Disa qytetarë kishin njoftuar se profilet zyrtare të Osmanit në Facebook dhe Twitter kishin bllokuar llogaritë e tyre, pas kritikave ndaj Presidentes.

Të ngjashme