Vazhdon politizimi i diplomacisë kosovare

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 08:19 | Nga

Ligji për Shërbimin Diplomatik përcakton që së paku 50% e ambasadorëve duhet të jenë të karrierës, por kjo kuotë është tejkaluar edhe në të kaluarën dhe po vazhdon të rritet përqindja e diplomatëve politikë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në pozitat e ambasadorëve vendosen zakonisht njerëz të subjekteve politike të cilët ose kryejnë ndonjë favor politik për partitë në pushtet, ose shpaguhen për ndonjë punë të kryer më herët, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndonëse Ligji për Shërbimin Diplomatik në Kosovë e përcakton qartë që kuota për përfaqësuesit diplomatikë është 50% politikë dhe 50% të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm ose siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës, një gjë e tillë po vazhdon të mos përfillet. Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte paralajmëruar para disa muajve se do ta përmbushë këtë kuotë, porse kjo nuk po ndodh.

Përkundrazi, para pak ditësh MPJ-ja i kishte dërguar Komisionit për Punë të Jashtme edhe dy kandidatë për t’i intervistuar për ambasadorë (Gjergj Dedajn e Avni Kastratin), të cilët po ashtu janë politikë. Mirëpo, mbledhja e komisionit ka dështuar të mbahet pas kundërshtimit të një pjese të opozitës, pikërisht për faktin se të propozuarit për ambasadorë nuk janë të karrierës, por politikë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive në pushtet vlerësojnë se ende nuk mund të dihet saktë se cila është kuota, pasi shumë prej ambasadorëve do të kthehen së shpejti në Kosovë. Kurse njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se praktika e emërimit të ambasadorëve politikë ka nisur qysh nga e kaluara dhe është duke vazhduar edhe sot. Pavarësisht zotimit të Pacollit për ta përmbushur kuotën, ata shprehen të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me qeverisjen aktuale. …

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme