Vela: Qeveria Kurti do të përballet me presion për të bërë marrëveshje me Serbinë

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Analisti Blerim Vela vlerëson se zgjedhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës është përmbushje e vullnetit të votuesve që u shpreh në zgjedhjet e gjashtë tetorit, si dhe i qëndrimeve të dy partive kryesore në qeveri, LVV-së dhe LDK-së.

Vela thotë se meqë Albin Kurti, që dy ditë më parë u emërua kryeministër, kishte qenë vetëm deputet në të kaluarën, ka pritshmëri që ai të ju qëndrojë premtimeve që ia mundësuan fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Duke qenë se Albin Kurti ka qenë vetëm deputet në të kaluarën ku ka treguar konsistencë në qëndrimet e tij politike, ngjashëm mund të pritet që ai do t’i qëndroj besnik premtimeve kyçe zgjedhore që i  mundësuan fitoren me 6 tetor. Pritjet e qytetarëve për të janë kryekëput të lidhura me punësim dhe zhvillim ekonomik, luftimin e korrupsionit, vendosjen e rendit dhe ligjit në institucionet publike dhe forcimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Vela në një përgjigje për Gazetën Express.

Njohësi i çështjeve politike në vend vlerëson se qeveria e re duhet të marrë një sërë hapash që të hapet rruga drejt reformave në vend. Vela i ka radhitur reformat nëpër të cilat sipas tij duhet të kalojnë institucionet e Kosovës.

“E para, formalizimi i strukturës së re të ministrive përmes ndryshimit të Rregullores së Punës së Qeverisë dhe vendimeve për fushë veprimtarinë e ministrive të reja. E dyta, kufizimin e shpenzimeve të luksit nga institucionet publike. E treta, dërgimi në Kuvend i paketës ligjore që mundëson fillimin e Vettingut dhe luftën efikase kundër krimit dhe korrupsionit. E katërta, miratimin e reformave ekonomike që ndërrojnë rolin dhe ndikimin e institucioneve publike në sferën e ekonomisë. E pesta, miratimi i projektbuxhetit për vitin 2020, në mënyrë që të shihet se si do të realizohet programi qeverisës. Natyrisht, qeverinë e re e presin pashmangshëm presioni ndërkombëtar për të rifilluar negociatat me Serbinë për një marrëveshje përfundimtare”, deklaron ai.

Sipas Velës, pritjet e qytetarëve janë që të bëhet përmirësim në trajtimin e papunësisë, luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit, arsim dhe shëndetësi.

“Një nga sfidat kryesore të qeverisë së re LVV dhe LDK është administrimi i pritjeve të mëdha që kanë qytetarët ndaj saj. Qeveria pritet që menjëherë të bëjë një ndryshim jo vetëm në modelin e qeverisjes, por edhe në jetën e përditshme të njerëzve. Pritjet lidhen kryesisht me trajtimin e papunësisë së lartë, luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit, si dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kujdesit shëndetësor. Arritja e rezultateve të prekshme në këtë fusha do të kërkojë kohë burime dhe mbi të gjitha zgjidhje adekuate që gëzojnë mbështetjen e palëve të ndryshme të interesit në shoqëri”, shton analisti politik, derisa përfundon se rezultatet e para mund të priten brenda vitit të parë të qeverisjes

Të ngjashme