Veliu: Ky tubim madhështor konfirmon fitoren e LDK-së dhe Vjosës në Llap

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka thënë të mërkurën në përmbylljen e fushatës së LDK-së në këtë qytet, se askush nuk do të mund ta thyejë bastionin e kësaj partie në Llap, pasi LDK-ja nuk është parti private por është parti e popullit të Kosovës.

Veliu tha se LDK-ja është unike si asnjëherë më parë në mbështetje të Vjosa Osmanit dhe se fryma e fitores tashmë po vërehet në Llap dhe në tërë Kosovën.

“Shikoni se kush e ka qeverisur Kosovën. Në një anë keni komandantët, të ‘fortit’ që premtojnë dhe pozojnë. Të gjithë i njihni, e kanë udhëhequr Kosovën me zgjedhje e pa zgjedhje, në qeveri e në rrugë, por edhe në nëntokë. PAN-i shkoi aq larg saqë buxhetin e shtetit e konsideroi si plaçkë për ta ndarë mes vete. Me vendimet e tyre ata rrënuan imazhin e vendit tonë dhe rrënuan raportet me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë. Diplomacia jonë ndërkaq u udhëhoq nga matrapazë e tyxharë që jo vetëm nuk arritën anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare por i sollën vetëm çnjohje”, tha Veliu.

Gjatë këtij tubimi zgjedhor ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka kujtuar kohën kur kryetari aktual i Podujevës ishte goditur në mënyrë të pabesë nga disa plumba.

“Agimi u godit nga ata që kishin qëllim t’ia ndalnin rrugën politike. Agimi e bartë filozofinë e presidentit Rugova dhe zoti deshi që rruga e tij, të mos ndërpritet por të vazhdojë me fitore të mëdha në Llap gjatë këtyre 20 viteve”, tha Haziri.

Ai i ka akuzuar oponentët politikë se përmes lajmeve të rreme po tentojnë të krijojnë përçarje në LDK, gjë që nuk do të ndodhë.

“Në rrugën politike po mundohen me na përça me lajme të rreme. Siç thotë populli shpifësi është ma i keq se katili. Ju mos ju besoni rrenave që fabrikohen, sepse 3 gushti dhe menaxhimi i Kuvendit zgjedhor të LDK-s nga Agim Veliut dhe mbështetja për Vjosën, duke u ruajtur unitetin tonë, i ka frikësuar rivalët tanë, sepse e dinë që kur LDK çohet në këmbë, vjen ndryshimi. Le ta dinë që Kosova edhe Llapi janë çuar në këmbë. Mos ua falni ligësitë, hafijes mos ja çelni derën. Çajin të Sabiti ua falni por votën jo kurrë, sepse nuk e meritojnë ”, ka thënë Haziri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme