Veliu sqarohet për deklaratën ndaj Osmanit

Prishtinë | 05 Jan 2021 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu lidhur me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, për Luljeta Demollin nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është “mizogjiniste dhe ka të bëjë me një urrejtje, me një mospëlqim dhe me një mosbesim ndaj grave në politikë”.

Duke komentuar një deklaratë të Osmanit, se në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të kthehej nëse do të largohej kryesia aktuale e partisë, Veliu në një deklaratë për media lokale në Kosovë tha se nuk e ka ditur që Osmani “është aq e madhe saqë i nevojitet hapësirë aq sa komplet një kryesi duhet të largohet që të vi ajo”.

Në këtë deklaratë, ai nuk deshi të komentojë se ne çfarë kuptimi e tha këtë.

Ndërkaq, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë që të sqarojë deklaratën e tij, Veliu tha se ka aluduar në “fuqinë politikë” të Osmanit, dhe jo me dukjen e saj.

Megjithatë, Egnesa Vitia, këshilltare e Osmanit, duke komentuar deklaratën e Veliut, tha se “më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt (Veliut) i menjëhershëm”.

“…të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme!”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Megjithatë, Demolli në një reagim për REL, thotë se deklarata të tilla, që aludojnë në dukjen e Osmanit, janë “nxitëse, që hyjnë në gjuhën e urrejtjes”.

“Jeta në politikë shihet si jetë e dominuar nga burrat dhe do të ishte më mirë që Agim Veliu të përkrahte gratë që të hyjnë në politikë me një gjuhë më demokratike dhe jo me një gjuhë të tillë, sepse e shohim qartë se kanë frikë nga gratë e zonja dhe kanë frikë nga votat e grave”, thotë Demolli.

Demolli bën apel që deklarata të tilla të mos bëhen, pasi sipas saj, dekurajojnë gratë që të kyçen në politikë.

“Po ashtu, këto deklarata e ulin ambicien e grave, i demotivojnë gratë e reja që të kyçen në politikë”, tha ajo.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar reagim edhe nga Grupi i Grave deputete. Kryetarja e këtij grupi, Vlora Limani-Hajnuni nga LDK-ja, tha se nuk ishte në dijeni lidhur me deklaratën e Veliut.

Edhe pasi u njoftua me përmbajtjen e deklaratës, Limani-Hajnuni tha se për reagimin nevojitet koordinimi i grupit.

“Natyrisht duhet të shohim se nëse është deklarata kështu siç e lexuat edhe ju do ju dërgojmë deklaratën e Grupit të Grave”, tha ajo. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Grupi i Grave deputete nuk ka reaguar.

Në korrik të vitit 2020 Osmani u shkarkua nga postet udhëheqëse në LDK. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.

Osmani edhe në të kaluarën është përballur me fushatë linçuese, ku i ishin publikuar fotografi të personave në uniformë të policisë serbe, njëri prej të cilëve u tha se ishte babai i Vjosa Osmanit.

Vetë Osmani i denoncoi këto publikime, duke i quajtur tendencë për linçim.

Në korrik të vitit 2020, Osmani, e cila është edhe kryetare e kuvendit, pati një përplasjeje verbale me deputetin e LDK-së, Xhavit Uka, rast të cilin pastaj e ka paraqitur në polici si “kërcënim fizik”.

Sulmet ndaj Osmanit nuk janë të vetmet ndaj grave udhëheqëse që janë pjesë të politikës. Cak i ofendimeve shpesh ka qenë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se politikanët në Kosovë po përdorin ofendimin si “mjet të punës” dhe se ofendimet janë aq të shpeshta saqë është e pamundur të reagohet ndaj secilit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme