Vendimi i Kurtit për uljen e pagave i panevojshëm, do t’i rregullojë ligji që ndodhet në Kushtetuese

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 16:17 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimi i sotëm i kryeministrit Albin Kurtit për uljen e pagave të kabinetit qeveritar po vlerësohet si i panevojshëm, derisa Ligji i ri për Paga është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, në një intervistë për Ekonomia Online tha se çështja e pagave është e rregulluar me ligj, andaj kur ligji të hyjë në fuqi, Kurti dhe kabineti qeveritar në mënyrë automatike do t’i marrin pagat me rritje.

“Një vendim e tillë e shoh të panevojshëm. Ne kemi  Ligjin e Pagave që është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe dekretuar nga Presidenca. Ai ligj është i vendosur në Gjykatën Kushtetuese ku pritet të marrë një epilog”.

“Çështjen e pagave ne e kemi të rregulluar me ligj, një vendim i tillë është i pavend, pasi në mars mund të kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mund ta kthej ligjin në fuqi. Gjithë ata njerëz që i prek ligji mund t’i marrin pagat me rritje dhe në mënyrë retroaktive. Nëse kabineti qeveritar ka me i marr pagat me zbritje. Nëse ligji për paga hynë në fuqi, automatikisht gjithë ministrat dhe kryeministri dhe kategoritë tjera që janë prekur nga vendimi i qeverisë mund t’i marrin rrogat retroaktive me rritje”.

Demhasaj potencoi se paga e kryeministrit Kurti do të jetë 2150 euro, gjë e cila do të vlejë edhe në muajin shkurt, ani pse është marrë një vendim për ulje gjatë mbledhjes së të mërkurës.

Ai theksoi se nëse vendimi i marrë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka qenë i kundërligjshëm, atëherë thotë ai se ky vendim është dashur të shfuqizohet në tërësi.

“Tani për tani është i panevojshme një vendim i tillë. Është ligji për paga që rregullon vendimin për paga. Por nëse gjykata e kthen përsëri në Kuvend, atëherë kishte pasur mundësi të marr një vendim të tillë për ulje të pagave. Në momentin që ligji hynë në fuqi, paga e kryeministrit është e paraparë në atë projektligj me 2150 euro. Kurti mund ta marr pagën me rritje edhe për shkurtin, përkundër që sot është marrë një vendim për zvogëlimin e tyre”.

“Në bazë të vendim që është marrë sot, kjo do të vlej vetëm për kryeministrin, ministrat që nuk i prek prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo është një dilemë e madhe juridike. Vendimi që është marrë nga qeveria Haradinaj që automatikisht ka ndikuar të rriten pagat për prokurorët dhe gjyqtarët. Nëse ky vendim ka qenë i kundërligjshëm si tërësi dhe sot vendimi marrë nga Kurti që është shfuqizuar vetëm pjesërisht, atëherë është dashur të shfuqizohet si tërësi”, ka thënë Demhasaj.

Demhasaj ka folur edhe për krahasimin e pagave mes kryeministrit dhe deputetëve. Siç tha ai, një gjë e tillë është e palogjikshme.

“Sot ne kemi kryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat që do t’i marrin pagat me ulje kurse pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë më të mëdha që janë në kundërshtim me praktikat e mëhershme”.

“Ajo që është e palogjikshme është se nuk mundet që kryeministri që ka barrën kryesore të ketë pagën më të vogël se sa deputetët e që përgjegjësit janë më të vogla”, u shpreh Demhasaj.

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin që kishte marrë Qeveria “Haradinaj” në fund të vitit 2017 për rritjen e pagave për vete.

Në vendimin e 20 dhjetorit të viti 2017, Qeveria e kaluar kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.

Të ngjashme