Vendimi i parë i Qeverisë Haradinaj: Shkarkimi i Komisionit të Mehës, emërohet Bulliqi

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 18:06 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e parë nën drejtimin e Ramush Haradinajt, ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit (i njohur si Komisioni për Demarkacionin).

Haradinaj tha se kryetari i këtij komisioni, Murat Meha, ka dhënë dorëheqje para disa ditësh. Në vend të tij, ai ka propozuar ish-deputetin e LDK-së Shpejtim Bulliqi, i njohur si më i zëshmi kundër demarkacionit.

“Meqë Komisionit i ka skaduar mandati unë i propozoj Qeverisë shkarkimin e këtij komisioni i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe kam kërkuar që profesor Shpejtim Bulliqi të udhëheq me këtë komision. Ai do të marr përgjegjësitë për të krijuar komisionin e ri dhe t’ia sjellë Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi dhe ne ta kemi të qartë se si të veprojmë më tutje dhe si ta avancojmë këtë temë”, tha Haradinaj.

Propozimi është miratuar formalisht nga shumica e kabinetit; vetëm dy ministrat (e Listës Serbe) abstenuan.

Haradinaj tha se për këtë hap është konsultuar me partnerët politikë.

Ai tha se bartësit e institucioneve shtetërore kanë komunikim të mirë me Podgoricën zyrtare dhe shfaqi besimin për gjetjen e një zgjidhjeje.

Sikur dihet, Marrëveshja për shenjimin e kufirit tashmë është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi.

Haradinaj: Të hënën e paraqes programin në Kuvend

Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme do ta paraqesë në Kuvendin e Kosovës programin e tij qeveritar.

Në mbledhjen e parë me kabinetin, Haradinaj ka kërkuar punë dhe angazhim maksimal nga ministrat. “Kjo Qeveri nuk do të ecë prapa”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se besimi që i është dhënë për të udhëhequr Qeverinë përbëhet nga shumë parti politike, nga komunitetet etnike dhe detyrë e saj është që ato orientime programore qeverisëse të kthehen në program qeverisës të mirëfilltë.

“Kjo Qeveri nuk do të kthehet mbrapa vetëm për t’u ankuar sa keq ka punuar dikush, por do të shkojë përpara dhe e vetmja që na duhet ne janë informatat nga ministritë se si mund ta bëjmë diferencën për më mirë në këtë vend”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të mos nisen nga logjika për të fajësuar ata që kanë qeverisur përpara, por të nisin punën me logjikën se çka mund të bëhet më mirë nëpër sektorë veç e veç.

Kryeministri Haradinaj tha se do të punohet çdo ditë deri në orët e vona.  “Orientimi ynë është që të hënën e ardhshme t’ia dorëzojmë Parlamentit, popullit të Kosovës programin qeverisës”.

Kryeministri Haradinaj para kabinetit qeveritar foli edhe për zgjidhjen e preokupimeve për qytetarët, për rritje ekonomike të vazhdueshme, reale dhe të qëndrueshme, për sundimin e ligjit dhe rendit, që arsimi dhe shëndetësia të përmirësohen, kurse bujqit dhe ndërmarrësit të mos mbetën të vetmuar.

“Perspektiva jonë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar dhe  për njohje, është jo e lehtë, por do të jemi bashkë dhe do të punojmë ngushtë  edhe me partnerët tanë”, tha ai.

Mbledhjen, Haradinaj e ka nisur duke kujtuar ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Ai tha se Kosova solidarizohet me popullin mik amerikan. “Kosova do të jetë çdo herë përkrahëse e koalicionit botëror kundër terrorizmit dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të jetë në krah të ShBA-së”.

Më pas shefi i ri i Ekzekutivit ka paraqitur rendin e ditës për mbledhjen e sotme: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i propozim-vendimit për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit.

Ndër të tjera Haradinaj foli edhe për gjendjen në shëndetësi duke paralajmëruar se ditët në vijim do të ketë takime me përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së për të diskutuar rreth këtyre problemeve.

Zv.kryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, ka propozuar që pas këtij takimi të formohen disa “grupe më të vogla të interesit”, sikur i ka quajtur ai, të cilat do t’i ndihmojnë kompletimit të programit qeverisës.

Bedri Hamza, ministër i Financave, ka thënë se Kosova ka shumë nevoja por top prioritet është ruajtja e stabilitetit makrofinanciar. Ai ka kërkuar nga ministrat që të bëjnë propozimet që të mos humbet kohë me përgatitjen e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Hoxhaj: Qeveria Haradinaj do ta përmbyllë shtetndërtimin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se qeveria e re, me në krye Ramush Haradinajn, do të jetë ajo, e cila do ta përmbyllë shtetndërtimin e Kosovës.

Ai më tej, ka thënë se qeveria “Haradinaj”, si prioritete të saja ka liberalizimin e vizave, demarkacionin me Malin e Zi, si dhe shnderrimin e FSK-së në FAK.

“Liberalizimi i vizave dhe përfundimi i demarkamit me Malin e Zi janë prioritete, si dhe transformimi i FSK-së në FAK”, ka shtuar zëvendëskryeministri nga radhët e PDK-së.

Mblidhet kabineti i ri qeveritar, në rend dite shkarkimi i Murat Mehës

Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, me të marrë detyrën, ka thirrur mbledhjen e parë me kabinetin e tij qeveritar.

Ministrat, që janë gjithsej 21, kanë nisur të vijnë, para orës 18, kur është caktuar të nisë mbledhja.

Shumë nga ta ulen për herë të parë në karrigen e ministrit.

Sipas rendit të ditës të cilin e ka parë Ekonomia Online, kryeministri Haradinaj pritet t’i propozojë Qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit (i njohur si Komisioni për Demarkacionin).

Lexo më shumë:

Të ngjashme