Vendimi i Serbisë me të cilin u fut në karantinë Mitrovica Veriore (DOKUMENT)

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Tash e një javë, serbët e shqiptarët në Mitrovicën Veriore janë urdhëruar që të izolohen, ta kufizojnë lëvizjen dhe ta organizojnë jetesën në një mënyrë më ndryshe nga çfarë përcaktojnë vendimet e Qeverisë e Kosovës kundër pandemisë së Coronavirusit.

Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e Shtabit të Mitrovicës Veriore për Gjendje të Jashtëzakonshme, i cili përmban një sërë masash të ndërmarra për parandalimin e koronavirusit, përkitazi me vendimet e Qeverisë së Serbisë.

Qysh në krye të këtij vendimi theksohet se masat janë marrë konform instruksioneve nga qeveria në Beograd.

“Shtabi Komunal për Gjendje të Jashtëzakonshme i Komunës Kosovska Mitrovica, në mbledhjen e mbajtur më 01.04.2020, në pajtim me vendimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë, merr masat në vijim me qëllim të mbrojtjes, luftimit, shuarjes së epidemisë të virusit korona, caktohet orari i ri”, thuhet fillimisht në vendim.

Tetë masat e përshkruara në dokument specifikojnë kufizime e ndalesa të ndryshme, orar të funksionimit të dyqaneve të shitjes, orar të lëvizjes së qytetarëve, e deri te ulja e flamurit në gjysmë-shtizë në të gjitha institucionet e kësaj komune.

Sipas këtij vendimi është përcaktuar orari i ndalimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në 06:00, ndërsa dy ditëve të fundit të javës nga ora 15:00 deri në 06:00.

Ky vendimi urdhëron dyqanet e shitjes me pakicë që të punojnë gjatë ditëve të punës nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërkaq të shtunave dhe të dielave nga ora 07:00 deri në orën 13:00. Të dielave, dyqanet e shitjes me pakicë urdhërohen të punojnë për të moshuarit mbi 65 vjet prej orës 06:00 deri në orën 08:00.

“Njoftohen të gjithë qytetarët e moshuar të cilët nuk kanë familjarë ose që nuk kanë mundësi që në ndonjë mënyrë tjetër të sigurojnë gjërat elementare dhe ilaçet, se mund të paraqiten nga ora 08:00 deri në orën 16:00, për të parashtruar kërkesë për sigurimin e gjërave elementare të jetesës dhe ilaçeve, thirrni në qendrën e thirrjeve në numrat vijues të telefonit”, thuhet në pikën e fundit të këtij dokumenti, e ku më tej ofrohen për kontakt numra serbë.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk përcaktojnë kufizime të tilla për dyqanet me pakicë dhe as orar të tillë të lëvizjes së qytetarëve në fundjavë.

Para pak ditësh, në medie u raportua se me vendim të Serbisë, Mitrovica Veriore dhe Leposaviçi u futën në karantinë, ndërsa 210 qytetarë të 5 komunave veriore u urdhëruan të izolohen me vendim nga Beogradi.

Qeveria e Kosovës tha se ishte vendim i saj që këto dy komuna veriore të Kosovës të futen në karantinë.

Megjithatë, ky vendim nuk ekziston i publikuar ende askund.

Të ngjashme