Vendlindja e pret si kryeministër Avdullah Hotin

Rahovec | 02 Qer 2017 | 22:18 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa për kryeministër, Avdullah Hoti, e ka mbyllur ditën e tretë të fushatës me një tubim në fshatin e tij të lindjes – Ratkoc të Rahovecit.

Qindra banorë të fshatit Ratkoc e kanë pritur me flamuj e pankarta në duar bashkëvendësin e tyre, që tani është kandidat i LDK-së dhe partnerëve të saj për ta drejtuar qeverinë e ardhshme.

Në njërin nga bannerët shkruante: “Faleminderit Ministër, Mirë se vjen KRYEMINISTËR!”, raporton Ekonomia Online.

Hotin e shoqëronin lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli; ministrat në detyrë të LDK-së, Kujtim Shala e Arban Abrashi, e kandidatë për deputetë.

Pacolli, duke iu drejtuar bashkëvendësve të Hotit, tha se qeveria e udhëhequr nga ai “do t’ia japë goditjen e fundit hajnave dhe atyre që e zhvatën Kosovën”.

E lavdërimet nuk i kurseu as Shala. Ai tha se gjatë përvojës së tij kolegiale me Avdullah Hotin ka kuptuar çdo ditë se ka pasur të bëjë me një njeri të jashtëzakonshëm, të ndershëm, me një njeri të fjalës dhe të punës.

“Hoti e ka udhëhequr ministrinë kryesore gjatë qeverisë së kaluar, punë të cilën e ka bërë në mënyrën më të mirë”.

Shala ka thënë se pikërisht sjelljet e Hotit janë veti rugoviane dhe për këtë ai sot është i kandiduari i LDK-së për kryeministër të ardhshëm.

Hoti porosit bashkëvendësit, bëni gati fishekzjarrët

Vetë Avdullah Hoti u shpreh se këto janë ditët më të veçanta në jetën e tij, pasi i është dhënë besimi të jetë kandidat për kryeministër. “Jam shumë i emocionuar ta mbyll ditën në Ratkoc dhe ky është deserti më i mirë që mundesh me e pasë”.

Ai ka falënderuar Pacollin dhe kolegët e tij që kanë gjetur kohë të jenë me të, sonte në vendlindjen e tij.

“Ne jemi bërë bashkë, si në kohën e Rugovës, për të bërë ndryshimin më të madh në Kosovë”, deklaroi ai.

“Jam njeriu më i lumtur që e kam marr këtë përgjegjësi. E di që shumë të tjerë kishin mundur ta bëjnë këtë punë edhe më mirë, por mua ma kanë ndarë këtë detyrë. Dhe unë do t’iu qëndroj besnik vendimeve të LDK-së”.

Ajo që e bën të lumtur Hotin është lista prej 110 personave me etikë të lartë profesionale.

Në fund, Hoti i porositi bashkëvendësit që t’i bëjnë gati fishekzjarrët për ditën e fitores.

Të ngjashme