Veseli-bashkëluftëtarëve: Tash duhet ta fitojmë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot një grup bashkëluftëtarësh nga zona të ndryshme.

Ai ka ndarë kujtime nga lufta, por siç ka shkruar ai në faqen e tij në Facebook, temë kryesore bashkë me ta kishte betejat për zhvillimin e vendit.

Veseli ka shkruar se bashkë me luftëtarët UÇK-së do ta vazhdojë nismën për të hetuar e pastruar listat e veteranëve.

Ai ka shtuar se beteja tash është për një shtet demokratik e të zhvilluar duke e pasur në prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Ky është postimi i tij i plotë:

Takova sot një grup ish-ushtarësh të UÇK-së. Kishim shumë për çfarë të flisnim, kujtuam ditët e luftës kur të gjithë ishim më të rinj e më të pashëm. Mirëpo mbi të gjitha bashkëbiseduam për dhimbjen që kemi kur shohim se fëmijët po na largohen nga vendi për të cilin kemi luftuar. Ky është dështimi ynë; duhet ta pranojmë.

Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam. Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë.

Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë. Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu si kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë.

Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme