Veseli dëgjon ekspertët e ekonomisë, sugjerimet do të jenë pjesë e politikës

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 17:07 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kostoja e lartë e energjisë elektrike, konkurrenca jolojale, stabiliteti politik, korrupsioni e fuqizimi i prodhimit vendor ishin vetëm disa nga problemet të cilat u cekën nga ekspertët e ekonomisë para kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili sot ka filluar turin e tij të dytë të dëgjimit pas atij që kishte me qytetarë.

Anëtari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Mërgim Prishtina, ka thënë se si pikë kryesore duhet të ceket prodhimi vendës, pasi që sipas tij, prodhimi në përgjithësi është rritur por se produktet duhet të plasohen dhe të shiten.

“Pika e parë që unë isha ndalur më së shumti është prodhimi vendor apo zhvillimi i industrisë vendore. Shihet që ne kemi pasur disa vizita të ndryshme nëpër Kosovë, nëpër fabrika të ndryshme dhe unë jam befasuar nga ajo që kam parë në terren se sa është zhvilluar prodhimi vendor dhe fabrikat në vend por ka ende vend për t’u zhvilluar shumë, pra ka vend për përmirësim ose për rritje të kapaciteteve të ndryshme. Këtu është pikë diskutimi ligji i tregtisë së brendshme i cili është hallka e dytë pas prodhimit. Ne tash kemi mbërri në nivel të kënaqshëm të prodhimit në përgjithësi por ato produkte duhet të plasohen dhe duhet të shiten”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se duhet t’u jepet më shumë mundësi bizneseve që të propozojnë në atë se duhet të investohet.

Përfaqësuesja e Odës Ekonomike Austriake në Kosovë, Vjosa Huruglica, ka prekur temën e investimeve direke duke thënë se tërheqja e tyre në Kosovë dhe rritja e konkurrencës në mes kompanive vendore është një ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.

“Është e vërtetë që Kosova ka resurse humane por pikërisht resurset humane trajnimi i tyre apo shkollimi i tyre është një ndër sfidat kryesore që e kanë identifikuar investitorët austriakë . Fuqia punëtore nuk është e kualifikuar po flas për investitorët e huaj, prandaj si sugjerim nga ana jonë është që të krijohet një bazë e të dhënave mbi kërkesat e tregut të punës dhe besoj se kjo vlen edhe për investitorët lokal dhe me sa jeni të informuar Kosova nuk ka një bazë të tillë të dhënave për kërkesat e tregut të punës andaj është më se e nevojshme që ministritë përkatëse që Qeveria të krijon një listë të tillë dhe kjo madje t’i përshtatet plan programeve për shkolla profesionale”, ka thënë ajo.

Kurse, Shpend Balija nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, ka pohuar se për të pasur zhvillim ekonomik duhet shikuar avantazhin konkurrues në vend.

“Për ta zhvilluar ekonominë, për të krijuar vende të reja të punës duhet të ndalemi pak dhe ta shikojmë avantazhin konkurrues të Kosovës sepse po flasim shpesh herë për investime të huaja, për prodhime vendore,për gjëra të ndryshme, për legjislacion mirëpo nëse ndalemi dhe shikojmë trendet globale në aspektin e globalizmit ne nuk mund ta ndalojmë tregtinë e lirë apo diçka e cila tash vetëm është në fuqi duke ec, por duhet të shikojmë si mundemi në këto rrafshe që të jemi konkurrentë, pra cili është avantazhi konkurrues i Kosovës çka të prodhojmë, cili është produkti, çka duhet bërë. Shpesh herë këto gjëra shkojnë së bashku. Tërheqja e investimeve të huaja prodhimi vendor është e njëjta gjë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se barrierat e të bërit biznes në vend vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta.

“Në tri vitet e kaluara barrierat e të bërit biznes por edhe tash në masë të madhe janë pothuajse të njëjta në kuptim të barrierave që janë për të bërë biznes. Në këto barriera renditet kostoja e energjisë, barrierë e dytë është konkurrenca jo lojale dhe ekonomia e hirtë, barrierë e tretë është jo stabiliteti politik dhe barrierë e katërt dhe e pesat është kërkesa e pamjaftueshme përkatësisht korrupsioni:, ka pohuar Rukiqi.

Ndërsa, Burim Piraj, përfaqësues i Shoqatës së mishit në Kosovë, marrëveshjen e CEFTA-s e ka quajtur traktat të kobshëm për Kosovën.

“Është viti 2017 dhe ne prodhimin nuk e kemi të barabartë me vendet e tjera që eksportojnë në Kosovë. Ka qenë ajo marrëveshja e kobshme Traktati i CEFTA-s, i cili prodhuesit vendor i ka vendosur në një pozitë shumë të keqe, e bëri Kosovën parajsë të vendeve anëtare të CEFTA-s. Kosova ishte me probleme të mëdha ekonomike duke filluar nga furnizimi me energji elektrike i cili problem vazhdon të jetë aktual edhe sot, dhe na sollën në një pozitë që ne edhe sot mos të jemi të barabartë në tregun tonë. Pas kësaj marrëveshje lulëzuan fabrikat në kufi me Maqedoninë në Serbi ndërsa në Kosovë për fat të keq zhvillimi u ndal”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke u përgjigjur në kërkesat dhe shqetësimet e ekspertëve theksoi se të gjitha problemet do të jenë pjesë reale e politikës së tij.

“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë. Po ju jap fjalën do të jetë pjesë të cilën do ta ngrisim dhe do ta dëgjojmë njëri-tjetrin për këto probleme. Do të jenë pjesë reale e politikës sime. Është obligim jetësor i secilit për të bërë diçka mirë, por më së shumti përgjegjësia bie mbi ata të cilët synojnë të marrin vullnetin e qytetarëve edhe pastaj të udhëheqin mbi atë vullnet, të nxjerrin ligje dhe në të njëjtën kohë të implementojnë politika të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës sociale të qytetarëve tonë”, ka thënë kryetari Veseli.

Të ngjashme