Veseli – deputetëve: Iniciativa për Tribunalin do të shkojë deri në fund

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 11:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka propozuar Rezolutë për miratim mirëpo mori reagim të Memli Krasniqit nga PDK-ja se po bëhet tendencë për protagonizëm, raporton Ekonomia Online.

“Rezoluta është paraqitë edhe herën e kaluar. Nuk jemi duke propozuar tjetër çka, por e kemi lexuar që thotë: të formohet grup punues për të përgatitur propozim-vendimin që Kuvendi duhet të marrë për ndjekjen e krimeve të luftës nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare. Pika e dytë, duhet të përfshijë kapacitetet institucionale për të ndjekur kriminelët e luftës edhe në mungesë, pika tjetër është që pas këtyre shteti i Kosovës duhet të angazhohet në rrafshin politik për ngritjen e Tribunalit për krime të luftës” ishte rezoluta e paraqitur nga Hoti.

E Krasniqi tha se e njëjta u parashtrua nga deputeti i PSD, Faton Topalli.

“Prapë jemi në të njëjtën situatë ku një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme jemi duke e rrezikuar për shkak të tendencës për protagonizëm të kujtdo qoftë. Përkundër që debati ka përfunduar për këtë pikë u dha një propozim nga PSD-ja e cila e mori mbështetjen dhe kaloi. Kemi një propozim të LDK-së këta çka propozuan për mendimin tim është e njëjta me atë që e kaluam ne. Kuvendi sapo e miratoi propozimin për Komision Parlamentar për Harmonizimin e të gjitha partive. Ku është logjika të formohet tash edhe një Komision tjetër. Ky kuvend e votoi dhe miratoi një komision parlamentar tjetër çka po lypni tash. Ju kisha lutë harroni veç për një moment protagonizmin, me të vërtetë u bëmë horë prej këtyre njerëzve që i kemi në sallë e ata që po na ndjekin. Hajdeni në komision dhe të merremi vesh për të gjitha”, tha Krasniqi.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeparlamentarit Veseli.

“Për besë po abuzohet shumë në këtë Kuvend”, ka thënë Veseli.

E, shefi i GP, të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se duhet të vijnë me propozime konkretet që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës.

“Përbën bazën për komisionin parlamentar që u propozua dhe mund të vijmë me propozime konkrete që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoti, raporton EO.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i reagoi shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, duke i thënë se kjo iniciativë nuk është individuale, por është e Kuvendit dhe që përfitues është qytetari.

Veseli mohoi se këtë është duke e bërë për poenë politikë.

“Zotëri shef i grupit parlamentar të LDK-së, në rend të parë krejt çka bëjmë e bëjmë për hir të një interesi që është qytetar. Në qoftë iniciativa që nuk na takojnë ne, për dy dekada askush asnjë iniciativë nuk e ka ndërmarrë asnjë iniciativë për gjenocidin serb. Çdo vit kemi vajtuar, por hapa konkretë nuk janë ndërmarrë. Pse u dashtë tash të merret një fushatë kaq e rëndë. Në këtë Kuvend është folur, janë ndërmarrë hapa që kurrë si kanë takuar këtij Kuvendi. Kjo iniciativë nuk ka të bëjë as me mua as me ty ka të bëjë me të tjerët. Unë nuk e kam ndërmend me marr këtë flamur por kjo iniciativë duhet të shkojë deri në fund. Vërjani çfarëdo emri, zhdukeni secilën iniciativë por askush të mos manipulojë me qytetarët as me ndjenjat tona. Iniciativa do të shkojë deri në fund. Institucioni duhet të marrë vendim dhe askush të mos mund të luajë”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme