Veseli dhe Nishani diskutojnë zhvillimet politike në të dyja vendet

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 11:38 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president.

Kryetari Veseli dhe presidenti Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.

Veseli e Nishani theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.

Duke e falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare, gjatë gjithë mandatit të tij, kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e tij për të çuar më tej këto relacione, në të gjitha fushat dhe hapësirat e pashfrytëzuara.

Veseli tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, përgëzoi kryetarin Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi. Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Të ngjashme