Veseli: Diaspora s’është fajtore për paaftësinë e menaxhimit të pandemisë, fluturimet të lejohen

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur absurd moslejimin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se një vendim i tillë është shqetësues për diasporën dhe për vendin.

Veseli ka shkruar se “masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, por edhe nevoja e bashkatdhetarëve tanë që të vizitojnë vendin e tyre duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet e as nuk bën të cenohet nga asnjëri prej nesh”.

“U bëj thirrje autoriteteve vendimmarrëse që menjëherë të reflektojnë, t’i krijojnë kushtet që diaspora jonë të gëzojnë të drejtën e ardhjes në Kosovë përmes linjave ajrore. Ata vijnë nga vende që e menaxhojnë mirë pandeminë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, diaspora nuk mund të vuaj nga paaftësia e menaxhimit të pandemisë, duke shtuar se ata nuk janë fajtorët për këtë.

Të ngjashme