Veseli e Haradinaj premtojnë dyfishimin e rritjes ekonomike

Prishtinë | 28 Maj 2017 | 10:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari  i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me kryetarin  e AAK-së, Ramush Haradinaj, po mbajnë një konferencë për media në fshatin Pestovë, ku kanë shpalosur edhe programin e Fillimit të Ri për ekonominë.

Kryetari Veseli ka thënë se Kosovës i duhet një Fillim i Ri për ekonominë tonë dhe kjo është pikërisht ajo që do ta bëjnë kur qytetarët t’u japin mandatin më 11 qershor.

“Që ta kemi një Fillim të Ri për ekonominë tonë, na duhet edhe një lidership i aftë për të marrë vendime dhe për të arritur rezultate. Kjo është pikërisht ajo që miku im, Ramush Haradinaj, do ta bëjë këtë si kryeministër”, u shpreh Veseli.

Sipas Veselit, ekonomia jonë ka ngecur dhe ne nuk po e zhvillojmë ekonominë tonë në ritmin e duhur.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi caktuar synim që ta dyfishojmë rritjen tonë vjetore për 8%. Një rritje e tillë do të krijonte vende pune dhe do të bënte që ekonomia jonë të lëvizte më shpejt”, ka thënë Veseli.

Për ta arritur këtë qëllim, Veseli ka thënë se së bashku kanë vendosur tri fusha prioritare në të cilat do të përqendrohet qeveria e tyre për ta nxitur zhvillimin më të shpejtë të ekonomisë.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se prioriteti numër një i tyre është që qeveria të fillojë t’i përkrahë bizneset e Kosovës.

“Janë rreth 60 mijë biznese në Kosovë, 60 mijë ndërmarrës të cilët krijojnë vende pune. Liderët e ekonomisë sonë janë ndërmarrësit e Kosovës dhe jo qeveria apo ndonjë ministër. Ne duhet t’i ndihmojmë ata, duhet t’i përkrahim ata. Nëse çdo ndërmarrje apo biznes do ta shtonte vetëm nga një punëtor, ne do t’i kishim 60 mijë vende të reja pune”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së ka thënë se plani i koalicionit PDK-AAK-Nisma është që të përqendrohen në rritjen dhe zgjerimin e bizneseve ekzistuese vendore dhe në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për të krijuar më shumë biznese.

”Në 100 ditët e para, qeveria jonë do ta ulë tatimin në të ardhurat mbi fitimin e korporatave nga 10% në 9%. Kjo menjëherë do t’u kthente bizneseve miliona euro që ato të mund të investojnë në krijimin e vendeve të punës dhe që ta rrisin prodhimin”, ka thënë Veseli.

Edhe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e ardshme do ta ketë prioritet krijimin e vendeve të reja të punës

“Sot po e dëshmojmë edhe në kompaninë “Pestova” e cila merret me prodhimin, kultivimin, përpunimin si dhe shitjen e patates dhe produkteve të saj në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, se fokusimi ynë është tek puna dhe vendet e reja te punës. Ekonomia jonë ka ngecur, ka munguar vendimmarrja. Prioritetet tona janë të qarta. Si kryeministër do të punojë që bizneset tona të rriten dhe të hapin vende pune, do ta zhvillojmë sektorin e bujqësisë për të rritur eksportet tona dhe për të krijuar vende pune, do t’i fuqizojmë të rinjtë dhe gratë për të marrë pjesë në ekonominë tonë plotësisht, dhe për të krijuar vende pune.  Pra, qëllimi ynë prioritar është dhe mbetet krijimi i vendeve të reja të punës. Do të jemi gjithmonë afër qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë ai.

Fotografia e Kadri Veseli

Fotografia e Kadri Veseli

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme