Veseli e Haradinaj shfaqen bashkë në Rahovec

Prishtinë | 20 Maj 2017 | 13:05 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë nisur së bashku fushatën parazgjedhore. Ata bashkëbiseduan me qytetarë dhe sipërmarrës në Rahovec.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovë, Kadri Veseli gjatë fjalimit të tij para qytetarëve të Rahovecit ka thënë se koalicioni i lidhur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën është koalicion për të mirën e qytetarëve.

“Koalicioni është në të mirën e qytetarëve, është për Kosovën perëndimore, Kosovën drejt BE-së, Kosovën e zhvilluar ekonomikisht, të qytetarëve që kanë të drejta dhe liri por në të njëjtën kohë marrin përgjegjësi për vendin e tyre”, ka thënë Veseli.

Gjithashtu Veseli ka shtuar se në asnjë mënyrë koalicioni nuk drejtohet ndaj askujt në mënyrë jo-dashamirëse.

“Ne jemi koalicion i lirisë dhe sovranitetit, nuk jemi as i luftës as i paraluftës. Lufta ka qenë sakrificë e secilit qytetarë dhe jemi të vendosur që bashkërisht t’i bashkojmë edhe qytetarët tanë drejt Fillimit të Ri për Kosovën”, ka shtuar Veseli.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK – AAK – Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka shumë të tillë që sot po moralizojnë me vendimin të cilën ai e mori, për t’u bashkuar me PDK-në në koalicion parazgjedhor.

Sipas tij, “nëse është në interes të atdheut, nëse ka nevojë, çdo vendim do ta marrë”.

“Ky vendim është në interes të atdheut, dhe për këtë e kemi lidhë fatin. Kush janë të tjerët. Nuk janë të zot as me marrë vendime dhe as me i zbatu ato. Nëse ka të atillë që marrin vendim, ata nuk mundën ta zbatojnë. Me 11 qershor fati i vendit është ne duart e juaja. Unë nuk pritoj me ju thonë, në qat ditë që nisim punën do ta nderoj atdheun. Atë ditë që nisim punën atë ditë kanë me thonë ‘bac u kry”, ka theksuar Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme