Veseli e Lladrovci premtuan 13 milionë euro projekte për Drenasin

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 19:07 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit, kanë takuar qindra qytetarë në takime të ndara për të shpalosur para tyre vizionin qeverisës dhe projektet kapitale për Komunën e Drenasit.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas kanë ardhur si pasojë e dënimeve ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, por siç tha ai, askush nuk mund ta dëmtojë Drenicën dhe Drenasin.

“Ata që e kanë sfiduar Drenicën, ata që e kanë sfiduar Drenasin edhe kësaj radhe më 4 dhjetor do ta marrin përgjigjen e merituar, ku kryetari i ri Ramiz Lladrovci do të shënojë fitore të thellë prej mbi 80 përqind”, tha Veseli.

Ai tha se me Ramiz Lladrovcin kryetar, komuna e Drenasit do të ketë zhvillim edhe më të madh ekonomik.

“Më 4 dhjetor në mënyrë të dinjitetshme ashtu siç din Drenica, dilni në zgjedhje të gjithë dhe votoni e festoni fitoren e fuqishme dhe e cila fitore do tu jep përgjigje të gjithë atyre që tentojnë ta dëmtojnë Ushtrinë Çlirimtare dhe Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka siguruar banorët e Komunës së Drenasit se do të jetë afër tyre dhe do të kujdeset që përveç investimeve nga buxheti i komunës, të sjell në Drenas edhe shumë projekte nga Qeveria dhe nga investitorë të jashtëm.

“Për të gjithë bujqt e Drenasit do të formoj një grup ekspertësh dhe do ti ndihmojmë bujqt për përgatitjen e projekteve të ndryshme për të aplikuar për grande në fushën e bujqësisë, për ta zhvilluar edhe më shumë komunën tonë. Po ashtu, përmes ndihmës së kryetarit Kadri Veseli do ta bëjmë edhe parkun e ri industrial prej 82 hektarësh ku do të vendosen investitorë të huaj që do të hapin vende të reja pune”, tha Lladrovci.

Në të gjitha takimet me qindra qytetarë, kryetari i PDK-së Veseli dhe kandidati për kryetar komune i kanë ftuar të gjithë qytetarët që më 4 dhjetor të dalin masivisht në zgjedhje.

Të ngjashme