Veseli e Zaev diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 11:19 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Zaev diskutuan për raportet që Prishtina dhe Shkupi zyrtar kanë ndërtuar midis tyre në të gjitha nivelet e bashkëpunimit institucional dhe njëherësh vlerësuan se ky bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, i shërben paqes, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit.

Veseli e Zaev theksuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të mira, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në frymën e orientimit të përbashkët euro-atlantik, si rrugë e vetme e të ardhmes së rajonit.

Kryeparlamentari i Kosovës dhe kryeministri i Maqedonisë, konsideruan se Kosovën dhe Maqedoninë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, i bashkon shumëçka, prandaj theksuan nevojën e adresimit të sfidave të përbashkëta.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok, si rrugë e vetme e realizimit të synimeve të përbashkëta euro-integruese dhe sigurimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe investimeve të përbashkëta në rajon.

Ai ka rikujtuar se Kosova është në përfundim e sipër të autostradës “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, e cila do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare.

Nga ana e tij, edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u zotua se shumë shpejt qeveria e tij do të nisë pjesën e autostradës nga Shkupi deri në pikën kufitare me Kosovën.​

Zave fillimisht u prit nga kryeministri Ramush Haradinaj me ceremoni shtetërore e më pas të dy u deklaruan për media ku u zotuan për bashkëpunim në rrugën drejtë BE-së. Zaev më pas do të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi.

Të ngjashme