Veseli: Është interes strategjik i popullit të Kosovës ta ratifikojmë demarkacionin

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Është interes strategjik i popullit dhe shtetit të Kosovës që të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi, një shtet ky mik dhe së shpejti anëtar i NATO-s.

Kështu tha kryeparlamentari Kadri Veseli, i pyetur nga Ekonomia Online pasi komisioni për matjen e territorit doli me raport, e në të cilin u gjet se Kosova me demarkacion nuk humb territor.

Veseli nuk u përgjigj drejtpërdrejt se kur mund të procedohet në Parlament ratifikimi. Por tha se kjo duhet të bëhet sa më shpejt.

“Kosova ka nevojë të përmbushë obligimet e veta të cilat i ka si shtet i pavarur dhe sovran dhe ka nevojë ta shënjojë kufirin e vet në procesin e forcimit të sovranitetit. Momentin kur e ratifikojmë demarkacionin me Malin e Zi, do të kemi vetëm një pjesë të territorit të papërcaktuar, atë me Serbinë”, tha ai.

Ai siguroi se me Malin e Zi do të ketë vetëm partneritet dhe fqinjësi të mirë, duke pohuar se asnjëra palë nuk ka pretendime territoriale, por vetëm raporte si dy vende të pavarura dhe sovrane.

“Mali i Zi nuk guxon assesi të rrëshqet në influencën pro serbe dhe presionit i cili po ushtrohet nga qarqet proruse. Këtë ne si Kosovë e ndjekim si shqetësim dhe njëkohësisht e sigurojmë Malin e Zi se me Kosovën do të ketë vetëm partneritet dhe fqinjësi të mirë dhe se nuk kemi pretendime territoriale si dy vende të pavarura dhe sovrane”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli këto deklarata i bëri në Tiranë ku qëndroi për vizitë dyditore, më ç’rast u prit nga krerët shtetërorë, si dhe liderët e partive politike.

Të ngjashme