Veseli: Falsifikimi i listave të veteranëve, turp i madh

Prishtinë | 27 Gus 2017 | 11:14 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që është njëri nga ish-udhëheqësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu ka dërguar një letër shoqatave të dala nga lufta.

Përmes kësaj letre Veseli ka rrëfyer sakrificën dhe luftën e lavdishme të UÇK-së, por edhe për përpjekjet e dashakeqëve që kanë dëmtuar statusin shpirtëror e moral të UÇK-së.

Veseli ka ftuar shoqatat e dala nga lufta dhe gjithë veteranët që të kontribuojnë dhe të dalin guximshëm kundër falsifikatorëve të luftës Çlirimtare, duke krijuar një evidencë reale të numrit të veteranëve që vërtetë kishin qenë pjesë e luftës.

“Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës. E vërteta dhe vetëm e vërteta është instanca që garanton mos cenimin e UÇK-së si vlerë sublime kombëtare. Beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, është betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë”, ka thënë Veseli përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

“Letër shoqatave të Luftës Çlirimtare

Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të dashur bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Edhe pak ditë na ndajnë nga përvjetori i 18-të i përmbylljes së demilitarizimit të UÇK-së.

Ishte shtatori i vitit 1999 kur njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një paradë madhështore, shënuan përfundimin e një epoke të lavdishme dhe fillimin e një epoke të re.

Ishin ditë krenarie të papërsëritshme, për secilin nga ne dhe çdo qytetar të Kosovës.

Misioni për të cilin kishte lindur UÇK-ja ishte përmbushur, si asnjëherë më parë në histori. Pas shumë dekadash robërie dhe shtypjeje, Kosova ishte çliruar përfundimisht.

Krahas krenarisë edhe dhimbja ishte e madhe – kishim humbur mijëra bashkëluftëtarë. Mijëra civilë kishin humbur jetën dhe vendi ishte shkatërruar krejtësisht. Si çdo herë tjetër në histori, liria kishte ardhur përmes sakrificash të mëdha njerëzore dhe materiale.

Ato ditë shtatori, UÇK-ja po pushonte se ekzistuari fizikisht për t’u kthyer në vlerë shpirtërore të kombit tonë, në shenjë identifikuese të shtetit të ri që po bëhej gati të themelohej- Republikës së Kosovës.

Transformimi i UÇK-së nga një organizatë ushtarake në një vlerë shpirtërore kombëtare, ndryshoi edhe natyrën e sulmeve kundër saj. Në vend të tankseve dhe artilerisë, tani kundër saj filluan të përdoreshin mjete të tjera, propaganda sistematike e Beogradit zyrtar dhe qarqeve antishqiptare, shpifjet sistematike mediale, të brendshme dhe të jashtme, inskenimet gjyqësore, arrestimet e njëpasnjëshme të ish pjesëtarëve të saj me akuza të cilat njëra pas tjetrës provoheshin se ishin të pavërteta, qoftë nga drejtësia ndërkombëtare në Hagë, qoftë nga ajo në Kosovë.

Kërkohej me çdo kusht që rrëfimi madhështor për UÇK-në të përbaltej, të njollosej, të nxihej, me të vetmin qëllim -minimin e avancimit të lirisë së Kosovës dhe formimin e shtetit të pavarur dhe sovran të saj.

E gjithë kjo fushatë, nuk kaloi pa pasoja. Ato tanimë dihen fare mirë. Në fakt, kjo fushatë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Me vetëdije, ose pa të, qëllimeve të saj janë duke i ndihmuar edhe interesat e politikës ditore dhe interesat e ndryshme klienteliste.

Derisa dikush, përmes devalvimit të UÇK-së, synon t’i krijoj vetes vend të pamerituar në rrëfimin për lirinë e Kosovës, dikush tjetër, në emër të saj, përpiqet të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale.

Për të parët UÇK-ja, si institucion moral, është pengesë, për të dytët është instrument personal.

Të dy palët, në fakt, operojnë me mjetet e falsifikimit e historisë së UÇK-së dhe për efekt kanë rrënimin e statusit të saj – si vlerë sublime e kombit shqiptar.

Të dashur bashkëluftëtarë,

Në veçanti ju që sot drejtoni shoqatat e veteranëve, të invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve,

A duhet që ta lejojmë këtë?

Me siguri se të gjithë e dimë përgjigjen e duhur dhe të vetme në këtë pyetje!

Jo nuk duhet ta lejojmë!

Faktet themelore flasin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte produkt ekskluziv i popullit të Kosovës. Ajo ishte “Made in Kosova”. Ajo lindi nga vullneti i popullit për t’i dhënë fund shtypjes dhe nga besimi i tij në mundësinë për ta bërë realitet lirinë.

Duke qenë e tillë në origjinë, natyrshëm, çdo qytetar liridashës i Kosovës ishte, në një formë apo tjetër, pjesë e UÇK-së.

Ne që ishim në strukturat drejtuese dhe organizative, gjatë gjithë luftës, jemi përballur me faktin e mijëra e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që donin të vishnin uniformën e UÇK-së, por kjo pamundësohej nga armatimi i limituar dhe rrethanat reale të gjendjes së luftës.

Vullneti ishte i plotë, por mundësitë reale për një mobilizim total ishin tejet të kufizuara.

Ne e dimë nivelin dhe shifrat reale të këtij mobilizimi.

Ne e dimë, gjithashtu, se këto shifra nuk përputhen me evidentimin zyrtar të veteranëve që është bërë së fundi.

Shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale. Ky është fakt dhe kjo nuk është dashur të ndodhë, në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, sepse me këtë është cenuar, në moralin e saj, vlera sublime e UÇK-së.

Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës.

E vërteta dhe vetëm e vërteta është instanca që garanton mos cenimin e UÇK-së si vlerë sublime kombëtare.

Beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, është betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë.

Siç e thash më lart, në shtator të vitit 1999, UÇK-ja ka pushuar se ekzistuari fizikisht, për të filluar ekzistencën e saj si vlerë shpirtërore dhe morale.

Nga ajo ditë, për secilin pjesëtarë të saj, UÇK-ja është vetëm një kapital honorifik.

Çdo përpjekje, që është bërë, për ta shndërruar nderin në fuqi financiare apo politike, në esencën e saj, e ka dëmtuar statusin shpirtëror e moral të UÇK-së.

Këto përpjekje janë shfrytëzuar maksimalisht nga armiqtë e lirisë së Kosovës për t’i dhënë jetë propagandës së tyre se çlirimtarët e djeshëm të Kosovës sot janë zhvatësit e saj.

Sot, sfida jonë e përbashkët është të dëshmohet se e kundërta është e vërtetë.

Kjo sfidë kapërcehet vetëm duke respektuar parimin e njohur se meritat e të kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë si alibi për gabimet e të sotmes.

Është në moralin e secili komb që të nderojë ata që kanë bërë sakrifica për lirinë e tij, por, ky nderim kurrë nuk mund të kuptohet si mundësi për të drejta speciale për ta. Kur nderi vihet në shërbim të interesit material, ai pushon se qenuri i tillë.

Meritat e të kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë për të ndërtuar imunitet personal apo grupor nga ligjet e shtetit. Shteti është mbi të gjithë dhe i barabartë për të gjithë.

Këto janë parime mbi të cilat duhet të mbështetet ndërgjegjja e secilit veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është mënyra më e mirë për ta mbrojtur dinjitetin e UÇK-së, e bashkë me të, edhe dinjitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës” (sic), ka shlruar Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme