Veseli hap Forumin Ekonomik Austri-Kosovë

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 13:09 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, hapi Forumin Ekonomik Austri-Kosovë, i cili filloi punimet sot në Vjenë, organizuar nga Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Në këtë forum morën pjesë mbi 100 përfaqësues të bizneseve austriake.

Në fjalën e tij para biznesmenëve austriakë, kryeparlamentari Veseli tha se Austria tradicionalisht ka qëndruar gjithmonë përkrah aspiratave të popullit të Kosovës për paqe, liri e progres. Ai shprehu kënaqësinë që Kosova ka arritur të tërheq investime serioze austriake. Prezenca e këtyre kompanive në Kosovë, tha Veseli, ka sjellë përvoja të reja në tregun vendor dhe ka krijuar një infrastrukturë të përshtatshme për afarizmin vendor dhe për investitorët e huaj.

“Kam bindjen se ky Forum Biznesi do të shërbejë si katalizator dhe urë lidhëse solide, për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe për të nxitur investimet e ndërsjella mes Kosovës dhe Austrisë”, theksoi Veseli.

Duke folur për reformat financiare e ekonomike, si dhe për klimën afariste në Kosovë, Veseli tha se Kosova prej vitesh ka ruajtur stabilitetin politik, atë makroekonomik dhe ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit, duke reduktuar drastikisht procedurat burokratike për të hapur dhe operuar një biznes.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova është shpallur zyrtarisht si top reformatori në botë nga 185 shtete që janë në konkurrencë, duke lënë prapa shumicën e shteteve të rajonit për numrin e reformave që janë realizuar këto dy vitet e fundit.

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli foli për përparësitë që kanë investitorët e huaj në Kosovë dhe avantazhet krahasuese të saj në raport me rajonin në thithjen e investimeve të huaja. Në këtë kontekst, Veseli potencoi pasuritë natyrore e nëntokësore të Kosovës, popullsinë e re dhe krahun e lirë të punës, si dhe pozicionin gjeografik të Kosovës në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova ka të rinj të mirëarsimuar dhe të kualifikuar, ku shumë prej tyre flasin anglisht dhe gjermanisht. Prandaj, sektori i shërbimeve në përgjithësi mbetet motori i ekonomisë tonë. Vetëm në 10 vitet e fundit janë më shumë se 30 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nënkontraktimeve të biznesit ‘outsource’”, tha kreu i Kuvendit.

Ai shtoi gjithashtu se Kosova synon të jetë një vend tranzit për projekte të rëndësishme ndërkombëtare të ndërlidhjes në fushën e infrastrukturës së transportit dhe energjetikës.

“Dua t’ju siguroj se dera ime është gjithnjë e hapur për ju dhe angazhimi im do jetë përherë maksimal për t’ju lehtësuar përpjekjet tuaja në realizimin e projekteve investuese me interes të dyanshëm të vendeve tona”, tha kryeparlamentari Veseli.

Në hapje të Forumit Ekonomik Austri-Kosovën morën pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë pjesë e delegacionit gjatë vizitës zyrtare në Austri.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme