Veseli: Institucionet formohen në korrik, flasim vetëm me parti jo me individë

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 13:00 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Ekonomia Online ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit ishin fer dhe demokratike.

Sipas kreut të PDK-së, rezultatet paraprake kanë nxjerrë fitues koalicionin PDK-AAK-Nisma dhe ky vendim i qytetarëve duhet të respektohet nga të gjithë.

Ish-kreu i Kuvendit shprehet i bindur se në pjesën e parë të korrikut do të formohen institucionet e reja për katër vitet të ardhshme, me kryeministër Ramush Haradinaj.

Ai shprehet se nuk është në interes të askujt në Kosovë që të ketë një bllokadë, sikur ajo e vitit 2014, e cila ishte e bazuar në ndjenja të mllefit dhe të revanshizmit.

Sipas rezultateve preliminare, për të formuar qeverinë e re, PAN-i duhet të bëjë koalicion edhe me ndonjërin nga subjektet e tjera, ose me parti të caktuara, si AKR-në, por dhe mund “të peshkojë” disa deputetë.

Por, Veseli mohon se partia që e drejton ka biseduar me individë të caktuar, në mënyrë që të sigurojnë votat për formimin e qeverisë.

“Princip e kemi të bëjmë biseda me parti politike, jo me individë të veçantë, në mënyrë që të krijohet stabilitet politik, stabilitet institucional; në mënyrë që t’i hapet perspektiva ekonomike vendit”.

“Kemi biseda me të gjithë. Bisedat janë të hapura. Ne nuk vendosim vija të kuqe ndaj qytetarëve, kur zgjedhin qytetarët tonë. Si parti ndoshta as nuk mendojmë të jemi në koalicion me faktorë të caktuar, por vija të kuqe ne nuk vëmë; vijat e kuqe janë koncepte të tejkaluara, janë koncepte të cilat nuk kanë të bëjnë me demokracinë e këtij vendi. Është çështje e parimeve programore, a bën koalicion apo nuk bën, e dëshiron dikë, s’e dëshiron. Në kuptimin e dashnisë, njeriu një herë në jetë martohet… Por kjo është politikë”.

Bartësi i listës së PAN-it thotë se nuk kanë biseduar konkretisht me partnerët për ndarjen e posteve. “Ajo çka dihet qartë është se për katër vitet e ardhshme kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj. Pastaj do të kemi vendime të cilat do t’i marrim që janë në interes strategjik të këtij vendi”.

Në këtë intervistë për EO, Veseli ka folur edhe për rënien e pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme në zonat që janë konsideruar si “hambarë të votave” për PDK-në, si Skenderaj e Drenasi.

Ai thotë se Drenica është bazamenti i PDK-së dhe se për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor do të tregohet edhe një herë se në këtë rajon do të fitojnë bindshëm.

“Drenica është simpatike se e ka hequr Serbinë, Drenica është simbol i këtij vendi… Keni parasysh këtë, te Drenica nuk ka ftohje dhe nuk do të ketë ftohje nga themeluesja – Partia Demokratike e Kosovës; aty është bazamenti”.

Por, sipas tij, nëse merret përqindja që nga viti 2014 ka vetëm 1% ndryshim.

Sa i përket kushtëzimeve që mund të vijnë nga Lista Serbe për të votuar Ramush Haradinajn për kryeministër, Veseli shprehet kategorik se nuk do të lejojnë në asnjë variant kushtëzime nga askush. “Kosova ka Kushtetutën dhe ligjet e veta dhe nuk do t’i nënshtrohet për asnjë moment diktatit të askujt”.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Z. Veseli si e vlerësoni procesin zgjedhor dhe rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Veseli: Proces fer, proces demokratik, qytetarët vullnetshëm kanë vendosur për kë kanë dashur. Rezultati është ai që Partia Demokratike, së bashku me partnerët e koalicionit, kanë dalë fitues. Kjo është një situatë e cila është reale dhe ne do vazhdojmë më tej.

EO: Sipas këtyre rezultateve, për të formuar Qeverinë PAN-i duhet të bëjë koalicion edhe me njërin nga subjektet e tjera, psh me LDK-në ose vetëm me AKR-në… A keni filluar kontaktet, ju ose z. Haradinaj si mandatar, me ndonjërin nga këto subjekte ose me “deputetë” të caktuar?

Veseli: Ndryshe nga viti 2014, kemi një qartësi tepër të madhe të formimit të institucioneve pas rezultatit zgjedhor, për arsye se koalicioni fitues ka të drejtë që të formojë edhe koalicionin qeveritar. Mendoj që nuk është në interes të askujt që të kemi një bllokadë, e cila më shumë i ngjason ndjenjave të mllefit sesa një politike në një shtet demokratik; dhe revanshizmit në vend se të mendojmë për atë që është në interes të qytetarëve. Unë besoj shumë që pas certifikimit të rezultateve më 25 qershor do të kemi shumë shpejt, po them jo vetëm besoj, por kjo edhe do të ndodhë, certifikimi i rezultateve, në të njëjtën kohë edhe krijimi i rezultateve dhe formimi i rezultateve.

Gjërat janë të qarta, nuk do të ketë vonesa. Në pjesën e parë të korrikut presim që të kemi formim të institucioneve të reja për katër vitet e ardhshme.

EO: A keni diskutuar me dy partnerët e koalicionit për ndarjen e pozitave? A do të jeni ju përsëri kryetar i Kuvendit? Nëse e merrni sërish këtë pozitë, ka pasur analistë ose rivalë tuaj që kanë thënë se motoja e fushatës së PDK-së “Fillimi i Ri” nuk ka kuptim. Si do t’iu përgjigjeshit atyre?

Veseli: Unë po flas për principet demokratike me të cilat ne funksionojmë si shoqëri, si shtet demokratik, mbi të cilat kemi mbajtur edhe zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017. Ju e dini se vetë fakti që jemi futur në koalicione parazgjedhore e ka pasur një nocion prapa kësaj, pse po futemi në këto koalicione të mëdhaja kur kemi menduar dhe se shumica prej nesh e kemi ditur pak a shumë rezultatin. Partia Demokratike e Kosovës e ka ditur që do të jetë partia e parë, por në të njëjtën kohë koalicionet të cilat rrodhën nga kolegët e tjerë të partive e vunë edhe Partinë Demokratike të Kosovës të krijojë koalicion.

Do të thotë e kemi një situatë e cila ishte e qartë para 11 qershorit dhe e cila e qartëson situatën tash pas 11 qershorit. Dhe mendoj që në bazë të kësaj situate, dhe në bazë të këtij rezultati i cili është një verdikt i qartë i qytetarëve, të njëjtën kohë është edhe në bazë të procedurave demokratike, ne duhet të mësojmë t’i respektojmë këto procedura. Dhe asgjë nuk ka ndryshuar si para 11 qershorit ashtu dhe pas 11 qershorit.

Princip e kemi të bëjmë biseda me parti politike, jo me individë të veçantë, në mënyrë që të krijohet stabilitet politik, stabilitet institucional; në mënyrë që t’i hapet perspektiva ekonomike vendit.Nuk kemi biseduar, të them drejtën, për egot personale të individëve apo me përgjegjësitë që duhet t’i marrin. Ajo që duhet të jetë qartazi është se për katër vitet e ardhshme kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj. Sa i përket PDK-së, do të veproj në bazë të asaj se cili është interesi më i mirë i partisë, të cilën e vlerësoj unë si kryetar i kësaj partie. Partia ka nevojë që të ecën fuqishëm përpara, të reflektojë në mënyrë që të ndryshojë.

EO: A keni biseduar me partitë e pakicave për formimin e qeverisë, saktësisht me Lisën Serbe? A prisni të ketë problem që Lista Serbe, e cila sikur dihet çdo vendim e merr në konsultim me Beogradin, ta votojë z. Haradinaj si kryeministër, për shkak të perceptimit të krijuar te serbët për si një ish-luftëtar, edhe pse ai ka dalë i pastër nga të gjitha proceset në Hagë.

Veseli: Kryeministri Haradinaj do të jetë për katër vite kryeministër. Ta keni parasysh, nuk do të ketë kushtëzime, nuk do të lejojmë varshmëri qoftë shtetit të Kosovës, qoftë të institucioneve të Kosovës, nga kushdo qoftë në çfarëdo kushti. Ne do të veprojmë se cili është interesi i këtij vendi, pastaj specifikisht do të veprojnë ata që i kanë partitë politike, siç është në rastin e partisë të cilën e drejtoj unë, por nuk do të lejojmë asnjë kushtëzim. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran ka kushtetutën ligjet e rregullat e veta nuk do të lejojmë që t’i nënshtrohet diktatit të askujt.

Kemi biseda me të gjithë, bisedat janë të hapura; ne nuk vendosim vija të kuqe ndaj qytetarëve kur zgjedhin qytetarët tonë. Si parti ndoshta as nuk mendojmë të jemi në koalicion me faktorë të caktuar, por vija të kuqe ne nuk vëmë; vijat e kuqe janë koncepte të tejkaluara, janë koncepte të cilat nuk kanë të bëjnë me demokracinë e këtij vendi. Vijat e kuqe janë vijat e murit të cilat i krijojnë njerëzit që kanë komplekse, që mendojnë që janë duke ndarë megje e i qëndrojnë njëri-tjetrit në formë të armiqësisë. Nuk ka armiqësi në këtë vend, në këtë vend do të ketë paqe, forcim të sovranitetit dhe ecje përpara ekonomike.

Nuk do të lejojmë që shtetet të cilat nuk ia duan të mirën Kosovës të jenë të involvuara në Kosovë dhe të kenë influencë thelbësore në vendimmarrjen tonë, assesi. Është çështje e principeve, e parimeve programore, a bën koalicion apo nuk bën, e dëshiron dikë, s’e dëshiron… Në kuptimin e dashnisë, njeriu një herë në jetë martohet edhe ajo kryhet… Por, në politikë jemi.

EO: Në këto zgjedhje, në disa nga zonat të cilësuara si “hambarët e votave” për PDK-në (si Skenderaj e Drenas) ka pasur rënie të pjesëmarrjes në zgjedhje? Çka do të bëni që t’i mobilizoni votuesit besnikë të PDK-së në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor?

Veseli: Po shndërrohet në shumë simpatike Drenica dhe drenicakët. Qe 18 vjet është një specifikë, Drenica voton çdo herë 80-90 për qind… Drenica është simpatike se e ka hequr Serbinë dhe Drenica është simbol i këtij vendi, për aq sa janë simbol të gjitha regjionet e tjera. Keni parasysh këtë te Drenica, nuk ka ftohje dhe nuk do të ketë ftohje nga themeluesja – Partia Demokratike e Kosovës. Aty është bazamenti. Në qoftë se e merr përqindjen në Drenas nga 2014 është 1% ndryshimi; nëse e sheh në 2016 ka rritje të votave të Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk do të futem në atë pjesë ne ajo çka na dallon prapë po e mbitheksoj se Partia Demokratike e Kosovës është duke paguar një çmim stabiliteti.

Ajo çka na dallon nga partitë e tjera është stabiliteti, jo vetëm këto 10 vjet kur ka qenë në pushtet, por edhe këto 17 vjet, duke qenë njëra nga partitë më dinjitoze, kur del në opozitë e pranon nuk vajton, nuk mallkon qytetarët, nuk thyen, nuk djeg. Por, në të njëjtën kohë kur është në pushtet, nuk abuzon me pushtetin. Kjo duhet të jetë shembull për partitë e tjera në mënyrë që urrejtjen mos ta kenë filozofi politike, por të kenë pajtueshmërinë dhe interesat e qytetarëve; aty ku gabon duhet pranuar, kjo është ajo çfarë duhet të bëjmë.

PDK-ja është parti shumë stabile, por e cila ka nevojë që ta ketë reflektimin e vet, për arsye se është qe një dekadë në pushtet. Nuk e shoh këtë si stres. Do të reflektojmë, në të njëjtën kohë t’i tregojmë, në rend të parë qytetarëve tanë, se është në rend të parë dinjiteti, jo urrejtja; është atdheu, jo interesi i egos; është përmirësimi i jetës së tyre që na mban në politikë, nuk është egoja e të qenit në pushtet, një ego e sëmur mbi parimin e së cilës disa njerëz po tentojnë ta shkatërrojnë të gjithë atë që është arritur.

A mund ta bëjë dikush më mirë se ne, le të vazhdojë të bëjë, po mos të shkatërrojmë. PDK-ja nuk i nënshtrohet as shantazhit as fyerjes, pos vullnetit të qytetarëve dhe një vlerësimi i cili është gradual mbi vlerësimin e së cilit ecim përpara dhe këto janë interesat e këtij vendi; sovraniteti është i shenjtë dhe ecja ekonomike përpara ekonomike.

(Intervistoi: Besa Maliqi | Kamera: Liridon Zejnullahu & Florian Syla | Montazhi: Shkëlqim Preniqi)

Të ngjashme