Veseli: Jap dorëheqje nëse vërtetohet se jam përfshirë në aferën e “fajdesë”

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 10:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas publikimit të video incizimeve ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e tij, ka kërkuar përgjegjësi nga organet e rendit dhe drejtësisë, të cilat sipas videove të publikuara në media, i kanë pasur këto video qe 6 vite dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor.

“Gjatë kësaj jave, disa media kanë publikuar video-materiale nga një rast i krimit të organizuar, ku është apostrofuar emri im nga protagonistët e incizimit, të cilët janë të dyshuar për krime të fajdesë, mashtrimit dhe krime të tjera të rënda. Dua të deklaroj se unë nuk kam të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast. Ky është një rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit, për çfarë jam i bindur se edhe organet e hetuesisë dhe të drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, ka thënë Kryeparlamentari Veseli në konferencë për media.

Ai i siguruar se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes së tij në këtë aferë, është i gatshëm të japë menjëherë dorëheqje, por shtoi se kur të sqarohet e vërteta e kësaj ngjarje, dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale.

“Ky është morali im. Ky është besimi im jetësor. Kjo është politika ime. E them me siguri të plotë: emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dalë e vërteta e kësaj, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale. Pavarësisht a janë pjesë e policisë, sistemit të drejtësisë, ose politikës”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar të sqarohen disa çështje, që mund të ngritën natyrshëm nga ky rast dhe që ka të bëjë edhe me funksionimin e organeve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar, që paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime me 6 vjet vonesë? Kush është ai, ose ata persona që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar për më shumë se 6 vjet? Kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur kjo vonesë që paska mundësuar edhe mbulimin dhe mos-dënimin e veprave penale? Pse këto video-incizime kanë qenë në sirtarë të policisë apo të prokurorisë për kaq shumë vjet dhe nuk janë trajtuar në kohë dhe me veprime të duhura?”, ka thënë Veseli, duke shtuar se kësaj pune do t’i shkohet deri në fund.

“Videoja shpërfaq krimin në mënyrë të hapur, të qartë, për secilin qytetar, e lëre më për organet e drejtësisë. Këtu kemi të bëjmë me dy krime. Me krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur, është krim edhe më i madh. Pa asnjë dyshim, duket qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe po ju siguroj se kësaj pune do t’i shkohet deri në fund. Deri në qartësimin e plotë të rastit dhe sjelljes para përgjegjësisë penale të të gjithë atyre që janë të përfshirë në keqpërdorimin dhe tentimin për njollosje të emrit tim. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Dikush duhet të përgjigjet për tërë këtë”, ka thënë Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 personash.

Dy protagonistët në këtë video, flasin për shuma të mëdha parash që biznesmeni Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat.

Teksa flasin për Rrahim Hashimin, si personi që do t’i ndihmonte Dalladakut për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, për këtë, përmend edhe emrin e Kadri Veselit.

Personi tjetër në këtë video është Kadri Rexhepi, që duket se luan rolin e ndërmjetësuesit mes Rrahim Hashimit e Faton Dalladakut.

Të hënën, policia ka arrestuar 5 persona: Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/

Të ngjashme