Veseli: Kuvendi nuk është mirë të shfrytëzohet për fushatë lokale

Prishtinë | 20 Sht 2017 | 13:55 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka fajësuar dy partitë opozitare, VV e LDK, se po e shfrytëzojnë Kuvendin e Kosovës për të bërë fushatë zgjedhore.

Ai tha se i janë përmbajtur në tërësi rregullores së Kuvendit për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme . “Seanca e jashtëzakonshme e cila është mbajtur në Kuvendin e Kosovës me kërkesën e deputetëve është bërë në ditë që e kanë kërkuar. Është ndërprerë seanca, kur ata kanë kërkuar”.

“Duhet të kemi mirëkuptim vetëm se mënyra e imponimit për të akuzuar pozitën nuk është korrekte”, tha kryetari i Kuvendit, pas mbledhjes së Kryesisë.

“Mbledhja e Kryesisë nuk përfundoi si duhej. Ju uroj krejt qytetarëve të Kosovës se më duket se sot filloi fushata”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.

“Mund të konstatoj që kolegët e opozitës e kishin ndarë mendjen qysh pa ardhur në mbledhje… Kuvendi nuk është mirë që të shfrytëzohet për fushatë lokale. Më mirë është të shfrytëzohet për me marrë vendime se edhe ashtu jemi vonuar”.

Veseli tha se Parlamenti mund të mblidhet në seancë të enjten e ardhshme. “Mbledhja e Kryesisë do të jetë shumë shpejt, është çështje ditore”.

Konjufca: Opozitës po i merret e drejta të thërrasë seancë me 40 nënshkrime

Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha për gazetarët se e lëshoi mbledhjen në mënyrë demonstrative sepse nga partitë e pozitës, sidomos nga kryeparlamentari Kadri Veseli, po synohet që t’i merret e drejta opozitës që të sigurojë 40 nënshkrime për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme.

“Kadri Veseli e shkeli rregulloren lidhur me seancën e jashtëzakonshme. Seanca mbahet jo kur do kryetari i Kuvendit, por kur donë ata që kanë thirrur”, tha Konjufca, raporton EO.

“Ne dëshirojmë që seanca të mbahet të hënën ndërsa ata të enjten. Propozimi jonë u rrëzua me anë të votave në mënyrë të padrejtë. Seanca e jashtëzakonshme nuk rrëzohet me vota. Seanca e jashtëzakonshme duhet të thirret nëse sigurohen 40 vota, jo të thirret nga Kryesia e Kuvendit”, deklaroi Konjufca.

Sipas tij, këtë çështje duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese.

“Unë jam i bindur që kjo gjykatë do të konstatonte që e drejta e thirrjes së seancës i takon kujtdo që i mbledh 40 vota”, shtoi anëtari i Kryesisë nga radhët e Vetëvendosjes.

Krasniqi: Opozita në ethet e fushatës zgjedhore, seanca nuk pati kuorum

Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka shprehur keqardhjen që atmosfera e e fillimit të fushatës zgjedhore po ndikon në punën e Kuvendit dhe të Kryesisë.

Duke komentuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për një seancë të jashtëzakonshme ku do të debatohej për programin e Qeverisë, Krasniqi tha se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është pranuar dhe kjo seancë është mbajtur të dielën.

“Mirëpo për mungesë të kuorumit ata kërkuan që të ndërpritet. Tani, për vazhdimin e seancës vendos Kryesia e Kuvendit. Ata nuk ishin të interesuar të mbajnë seancë”, tha Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë.

“Më vjen keq që ata ishin në ethet e fushatës parazgjedhore”, deklaroi Krasniqi, raporton EO.

Hoti: Sot u shkel një praktikë demokratike

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, ka paralajmëruar mundësinë që së bashku me Vetëvendosjes të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mosthirrjes së seancës së jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve.

“Nuk arritëm të dakordohemi për seancën e jashtëzakonshme. Sot u shkel një praktikë demokratike që për seancat e jashtëzakonshme vendoset pas mbledhjes së nënshkrimeve, e jo kur do kryesuesi”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

“Ne do ta shqyrtojmë mundësinë që t’i bashkohemi Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Hoti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Isufi: Propozuam vazhdimin e seancës të enjten, opozita s’do kompromis

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tregoi se kanë propozuar që vazhdimi i seancës të mbahet të enjten e ardhshme.

“Por, ata (Vetëvendosje e LDK), nuk donin kompromis”, tha Isufi, para gazetarëve, pas mbledhjes së Kryesisë.

Sherifi: Vazhdimi i seancës në funksion të propagandës

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën bëri të ditur se debati kryesor që u zhvillua në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ishte rreth asaj se a vlen thirrja e seancës së jashtëzakonshme me 40 vota edhe për vazhdimin e seancës.

“Ata (VV e LDK) nuk e kishin të qartë se a ka shkelje të rregullores a jo”, tha Sherifi, raporton Ekonomia Online.

Sherifi tha se kur është thirrur seanca e jashtëzakonshme ka pasur për qëllim propagandën. “Edhe vazhdimi i seancës është në funksion të propagandës”.

Ai shtoi se askush nuk ia konteston opozitës të drejtën për të thirrur vazhdim të seancës, por janë rregullat që duhet të respektohen.

Të ngjashme