Veseli mbledh ekspertët e ekonomisë, flasin për punësimin

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 14:41 | Nga Jehona Zhuniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka nisur turin e ri me ekspertë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Veseli është takuar me dhjetëra ekspertë të ekonomisë për të diskutuar rreth zgjidhjes së problemeve ekonomike me të cilat po ballafaqohet vendi ynë.

Para ekspertëve të ekonomisë, Veseli ka folur fillimisht për turin e tij të dëgjimit të qytetarëve, ku ata i kanë adresuar shqetësimet dhe nevojat e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Ju të gjithë jeni ekspertë të këtyre çështjeve, në veçanti të zhvillimit ekonomik. Politikanët nuk i dinë zgjidhjet për të gjitha problemet tona. Ata duhet t’i dëgjojnë ekspertët që punojnë në këto fusha, profesorët që ligjërojnë mbi tema siç janë: financat, ndërmarrësia dhe ekonomia, si dhe liderët me përvojë në tregtinë ndërkombëtare. Ju keni përvojë pune të dorës së parë në zgjidhjen e çështjeve përkitazi me papunësinë në nivelet shtetërore, rajonale dhe lokale, në praktikë dhe në teori”, u ka thënë atyre Veseli.

“Ne duhet të krijojmë vende pune. Me lejoni të përsëris, ne duhet të krijojmë vende pune”, ka ripërsëritur Veseli.

Sipas Veselit, ky është një prioritet urgjent shtetëror, i cili ishte i qartë qysh nga fillimi i turit të dëgjimit.

“Jam këtu sot për t’ju dëgjuar juve ekspertëve, në mënyrë që së bashku të mund ta ndërtojmë një plan për krijimin e vendeve të punës”, ka thënë ai. I pari i PDK-së është shprehur mirënjohës ndaj ekspertëve të ekonomisë që i janë bashkuar në këtë konsultim.

“Shpresoj se ky do të jetë një konsultim produktiv. Dua të dëgjoj sa më shumë prej jush. Ne mund të mos jemi një vend i pasur me shumë burime natyrore, por ne kemi burimin më të madh, kapitalin tonë njerëzor”, ka thënë Veseli.

“Ju lutem të ndani idetë dhe përvojat tuaja. Jam këtu për t’ju dëgjuar. Së bashku ne mund të hartojmë një plan serioz për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se politika duhet të merret me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe jo me problemet që politikanët kanë me njëri-tjetrin. Në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, Veseli ka thënë se politikanët janë duke u krijuar probleme të reja qytetarëve dhe vendit.

“Kjo sjellje politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, është shprehur ai. I pari i PDK-së ka thënë se qytetarët duan një lidership që do të krijojë vende pune, që do të rrisë sektorin e bujqësisë, si dhe që do të fuqizojë të rinjtë dhe gratë tona për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e shtetit tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme