Veseli: Nëse nuk ka Qeveri të hënën, vendi të shkojë në zgjedhje

Prishtinë | 01 Shk 2020 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, nëse në seancën e së hënës nuk ka Qeveri të koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një deklaratë për Klan Kosovën, ai ka pohuar se qeverisja duhet të ketë legjitimitet qytetar dhe marrëveshje politike, ndërsa është shprehur kundër bllokadave.

“Nëse nuk ka Qeveri të hënën, atëherë pas të hënës vetëm zgjedhjet janë zgjidhje. Nuk duhet të ketë opsion tjetër. Nuk ka legjitimitet dhe legalitet asnjë opsion tjetër”. Sipas tij, situata politike në vend ka degraduar rëndë nga zgjedhjet e vitit 2014, me bllokada dhe ngërçe, dhe vendi nuk po e merr më veten.

“Qeverisja duhet të ketë legjitimitet qytetar dhe marrëveshje politike. Jo bllokada, kushtëzime, shantazhe, në luftën për pushtet. Kjo logjikë dëmtuese duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë”.

“Duhet respektuar legjitimiteti qytetar dhe duhet pranuar rezultati i zgjedhjeve demokratike”, ka shtuar Veseli.

Kryetari i PDK-së, i cili mbrëmjen e 6 tetorit ka deklaruar se partia e tij do të shkojë në opozitë, gjithashtu ka tërhequr vërejtjen se vonesa në krijimin e Qeverisë po e dëmton qytetarin e Kosovës, si dhe vetë shtetin – brenda dhe jashtë. “Bllokada dhe shantazhe politike, 6 muaj më 2014, afër 3 muaj më 2017, dhe tani 4 muaj. Janë të njëjtit akterë atëherë dhe tash, me të njëjtin mentalitet – edhe kur humbin, edhe kur fitojnë, nuk pranojnë as rregulla dhe as marrëveshje demokratike”, ka deklaruar ai.

“Nëse të hënën nuk votohet Qeveria, dhe fituesi pas saj nuk ofron mandatar tjetër, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Veseli për Klan Kosovën. Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të hënën në orën 11:00, për ta votuar Qeverinë e Kosovës. Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje, ndërsa pohojnë se janë duke i vazhduar përpjekjet për një gjë të tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme