Veseli nis turin e ri, tani me ekspertë

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 13:20 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për gazetarë ka paralajmëruar një tur të ri me ekspertë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Pas turit dëgjimor në mbarë Kosovën, ku Veseli ka dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve dhe ka njohur më mirë nevojat e tyre, Veseli ka thënë se do të veproj dhe do të diskutoj edhe me ekspertë nga e gjithë Kosova dhe me ekspertë ndërkombëtarë, në një turne gjithëkombëtar për zgjidhjen e problemeve me interes të vendit dhe të qytetarëve.

“Do t’i dëgjoj nga afër idetë e qytetarëve dhe idetë e ekspertëve, që të mund të ndërtojmë një plan serioz që i adreson këto shqetësime”, ka thënë Veseli.

Ai ka treguar se ka dëgjuar të rinjtë në Prizren, studentët në Gjilan, minatorët në Mitrovicë, vreshtarët në Rahovec, ndërmarrësit në Ferizaj, nxënësit e shkollës profesionale në Skënderaj, arsimtarët në Prishtinë, pensionistët në Gjakovë, zyrtarët e sigurisë në Vushtrri, krenarinë tonë – kadetët e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, e mijëra e mijëra qytetarë të tjerë nga çdo shtresë e shoqërisë.

“Kam dëgjuar për sfidat me të cilat ata përballen dhe për idetë që ata kanë për ta çuar vendin tonë përpara. Mijëra njerëz iu bashkuan turit tim dëgjimor – burra dhe gra, gjimnazistë dhe pensionistë, fermerë dhe punëtorë fabrikash, mjekë dhe mësues – patriotët e mëdhenj të Kosovës të cilët kujdesen jashtëzakonisht për vendin tonë. Më lejoni t’ju them se qytetarët e Kosovës kanë ide të mrekullueshme, por kanë edhe shqetësime të mëdha”, ka thënë Veseli.

Para se gjithash, i pari i PDK-së ka thënë se qytetarët mendojnë se politika dhe politikanët, më shumë sesa të merren me problemet e qytetarëve tanë, po merren me problemet e njëri-tjetrit.

“Në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, politikanët janë duke u krijuar probleme të reja qytetarëve dhe vendit. Kjo sjellje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Veseli.

Të ngjashme