Veseli pas zhbllokimit të fondeve nga MCC: Qeveria Kurti cenoi raportet e shenjta me Amerikën

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas vendimit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë (MCC), për rifillimin e programit të saj në Kosovë.

Këtë vendim e mirëpriti edhe i pari i PDK’së, Kadri Veseli, i cili tutje deklaroi se Kosova asnjëherë nuk është dashur të ketë dilemma rreth aleancës dhe bashkëpunimit me SHBA’të, por sipas tij, falë sjelljes së rrezikshme të ish-Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, u cenuan këto raporte të shenja me Amerikën.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli tutje shtoi se Kosova dhe populli i saj me këtë rast ka përjetuar një nga përvojat më të këqija në këto 20 vitet e lirisë dhe pavarësisë së shtetit.

“Por falë sjelljes së rrezikshme të ish Qeverisë Kurti që cenoi këto raporte të shenjta me Amerikën, Kosova dhe populli i saj përjetoi një nga përvojat më të këqija në këto njëzet vitet e lirisë dhe pavarësisë tone”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Veselit:

“Zhbllokimi i fondeve milionëshe të MCC-së për Kosovën, është lajm i mirë dhe i shumëpritur. Kosova asnjëherë nuk është dashur që të ketë dilema rreth aleancës dhe bashkëpunimit me SHBA-të.

Por falë sjelljes së rrezikshme të ish Qeverisë Kurti që cënoi këto raporte të shenjta me Amerikën, Kosova dhe populli i saj përjetoi një nga përvojat më të këqija në këto njëzet vitet e lirisë dhe pavarësisë tonë.

Edhe kjo Qeveri e ‘status quos’, duhet të kujdeset dhe ta ketë prioritet kyç në politikën e jashtme, koordinimin me SHBA-të, sidomos për çështjet jetike të së ardhmes së vendit”.

Të ngjashme