Veseli për 6 tetorin 1968: Pikë kthese e luftës për liri, që u kulmua me luftën e UÇK-së

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar përvjetorin e protestave masive për Kosovën Republikë, të 6 tetorit të vitit 1968.

Veseli ka thënë se 6 Tetori i vitit 1968 është një ndër datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë duke shënuar një pikë kthese vendimtare.Ai ka shtuar se këto demonstrata bënë jehonë të madhe brenda e jashtë vendit, duke rikthyer kauzën tonë kombëtare në qendër të vëmendje,s si dhe duke tronditur rëndë themelet e regjimit komunist jugosllav për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.

Lexoni statusin e plotë të Kadri Veselit:

6 Tetori i vitit 1968 është një ndër datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë duke shënuar një pikë kthese vendimtare me demonstratën e parë masive që nisi në Prizren.

Ajo u pasua nga demonstratat e tjera të shqiptarëve anembanë ish-Jugosllavisë të cilat ngritën zërin për Republikë, për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar dhe për universitet.

Këto demonstrata bënë jehonë të madhe brenda e jashtë vendit duke rikthyer kauzën tonë kombëtare në qendër të vëmendjes si dhe duke tronditur rëndë themelet e regjimit komunist jugosllav për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.

Ne sot kujtojmë me nderim atë kryengritje të popullit tonë, që ndonëse u shtyp brutalisht, gjithësesi pati ndikim të madh sepse detyroi Beogradin që në shkurt 1969 të miratonte Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës si dhe në nëntor ligjin për themelimin e Universitetit të Prishtinës. Protestat e atij viti dëshmuan se të drejtat realizohen vetëm duke ngritur krye.

Po ashtu treguan se dëshira e popullit tonë për liri nuk është shuar asnjëherë dhe se përpjekjet tona për të drejtat kombëtare kanë qenë të parreshtura deri sa kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme