Veseli për Reçakun: Krimet që heshten e harrohen, një ditë përsëriten

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka potencuar se ndjen dhimbje për njerëzit që u privuan nga jeta në mënyrën më mizore, vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë.

Ndjejmë, ka shkruar ai, njëkohësisht krenari, ata janë martirë të një populli i cili me asnjë çmim nuk pranonte të nënshtrohej e të hiqte dorë nga liria.

Veseli po ashtu ka theksuar se “Lëndina e martirëve mbi Reçak është një vend që na përkujton se duhet të heqim dorë nga sorollatjet e interesave individuale e partiake dhe të punojmë me krejt energjitë për ta fuqizuar Kosovën, shtetin tonë të pavarur e sovran, në mënyrë që kurrë më askush të mos ketë mundësi të cenojë lirinë dhe jetën e njerëzve tanë”.

Ja deklarimi i plotë Veseli:

“Sot i gjithë kombi ynë përkujton Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më barbare të kryera nga Shteti serb në Kosovë, gjatë luftës! Kjo është një ditë e dhimbjes dhe e krenarisë kombëtare. Ndjejmë dhimbje për njerëzit tanë që u privuan nga jeta në mënyrën më mizore, vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë. Ndjejmë njëkohësisht krenari, se ata janë martirë të një populli i cili me asnjë çmim nuk pranonte të nënshtrohej e të hiqte dorë nga liria”.

“Reçaku, Prekazi, Meja, Qyshku, Suhareka, Gjakova, Studimja, Verbovci, Rezalla, Izbica janë monumente të përjetshme të qëndresës për liri, dhe njëkohësisht njolla të përjetshme turpi në fytyrën e shtetit serb. Janë bërë 21 vite dhe ky shtet vazhdon t’i shmanget drejtësisë për këto masakra, t’i mohojë ato dhe të investojë në politikën e revizionimit të historisë. Neve nuk na habitë fare ky qëndrim konsistent i Serbisë”.

‘Jemi mësuar me të, tash e më shumë se një shekull. Për ne shqetësuese është heshtja e Bashkimit Evropian, mungesa e plotë e vullnetit të tij për ta ballafaquar Serbinë me krimet e kryera prej saj në Kosovë. Nuk janë të mjaftueshme disa deklarata shterpe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, që shihet qartë se jepen sa për sy e faqe. Asgjë nuk mund të merret si ekuivalent i drejtësisë”.

“Madje, as liria, e cila ishte e drejtë themelore njerëzore dhe kombëtare e popullit tonë. Është e pamoralshme dhe antihumane të mendohet se meqë ne e fituam lirinë, tash duhet të heshtim për krimet gjenocidale të kryera mbi popullin tonë. Për më tepër është e rrezikshme, sepse krimet që heshtën e harrohen, një ditë përsëriten. Krimineli i padënuar gjithmonë ëndërron të kthehet në vendin e krimit”.

“Mjafton t’i dëgjojmë deklaratat e përditshme të krerëve të shtetit serb, për ta kuptuar këtë. Tribunali i Hagës ka dështuar në dhënien e drejtësisë për masakrat e kryera në Kosovë nga shteti serb. Prandaj është i domosdoshëm krijimi i një tribunali të ri, për të vazhduar punën e lënë në gjysmë. Pa drejtësi, nuk mund të ketë pajtim, e rrjedhimisht, as stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Ballkan. Vetëm drejtësia krijon kushtet e vërteta për të hedhur shikimin nga e ardhmja”.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë prej saj. Reçaku është pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë, lirisë dhe pavarësisë tonë. Lëndina e martirëve mbi Reçak është një vend që na përkujton se duhet të heqim dorë nga sorollatjet e interesave individuale e partiake dhe të punojmë me krejt energjitë për ta fuqizuar Kosovën, shtetin tonë të pavarur e sovran, në mënyrë që kurrë më askush të mos ketë mundësi të cenojë lirinë dhe jetën e njerëzve tanë. LAVDI!”./EO

Të ngjashme