Veseli i përgjigjet Erdoganit: Nuk i nënshtrohemi presionit të jashtëm, deklaratat janë shqetësuese

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 13:48 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është i befasuar nga deklaratat e Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për veprimet e Qeverisë së Kosovës, pas rastit të deportimit të 6 shtetasve turq.

Veseli, në një postim ne faqen e tij në Facebook, ka shkruar se deklarime të tilla nuk i kontribuojnë miqësisë mes dy vendeve, Kosovës dhe Turqisë.

Ai ka mbrojtur vendimet e Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se ato janë veprime të një shteti të pavarur.

“Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq”, ka shkruar Veseli ne reagim.

“Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar. Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në Kosovë, pas dëbimit të gylenistëve kanë ndodhur dy shkarkime, Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe ende nuk është zyrtarizuar shkakrimi i Shefit të AKI’së, Driton Gashi, pasi Presidenti ende nuk ka pranuar largimin e tij.

AKR ka kundërshtuar kërkesën e Kryeministrit derisa kanë kërkuar sqarime shtesë. Ndërsa, për shkarkimin e Shefit të AKI’së duhet edhe pajtimi i Presidentit Hashim Thaçi, i cili ende nuk ka treguar se cili është pozicioni i tij për këto largime.

Gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Revokimi kishte ndodhur pasi AKI në bashkëpunim me inteligjencën turke kishin konstatuar se të njëjtit persona përbëjnë rrezik kombëtar për Shtetin.

Behgjet Pacolli kishte thënë se operacioni ishte udhëhequr nga Shefi i AKI’së derisa informacione s’kishin pasur as Haradinaj, Veseli e Thaçi. Megjithëkëtë, shumëkush ka drejtuar gishtin se operacionin e ka udhëhequr edhe Presidenti.

Sidoqoftë, operacioni për arrestimin dhe dërgimin e turqve në Turqi ishin zhvilluar gjatë ditës së enjte. Ishin deportuar për në shtetin turk me një procedurë të përshpejtuar..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme