Veseli përkujton masakrën në Qyshk të Pejës

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar masakrat në fshatrat e Pejës.

21 vjet më parë forcat serbe kishin masakruar 138 shqiptarë civil në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan të Pejës.

Në 21-vjetorin e kësaj masakre, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se krimet e asaj dite janë krime kundër njerëzimit që ende nuk janë shpaguar dhe shumë nga kriminelët që i kanë shkaktuar ende janë të lirë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Veseli ka theksuar se, këto masakra janë krime lufte që peshojnë edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare, prandaj siç tha ai nisma e tij për tribunalin që do t’i vendosi ata kriminelë para drejtësisë, duhet të përkrahet nga të gjithë e të materializohet sa më shpejtë.

Postimi i plotë i Veselit, pa ndërhyrje:

Më 14 maj 1999 forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë kanë masakruar mizorisht 138 shqiptarë civile në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan të Pejës. Kjo ka qenë njëra nga ngjarjet më tragjike të vuajtura nga populli ynë gjatë luftës së Kosovës.

Në mes viktimave të pafajshme ishte edhe babai i mikut dhe bashkëluftëtarit tim Agim Çekut, një nga më meritorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Agimi e përballoi këtë ngjarje të rëndë heroikisht, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar edhe më fuqishëm kundër armiqve.

Krimet e asaj dite janë krime kundër njerëzimit që ende nuk janë shpaguar dhe shumë nga kriminelët që i kanë shkaktuar ende janë të lirë. Ato janë krime lufte që peshojnë edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare, prandaj nisma ime për tribunalin që do i vendosi ata kriminelë para drejtësisë, duhet të përkrahet nga të gjithë e të materializohet sa më shpejtë.

Të ngjashme