Veseli pranon Raportin e KE-së, kërkon që të rinjve tu mundësohet lëvizja e lirë

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 15:17 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pranuar Raportit për Kosovën për 2019 të Komisionit Evropian (KE) nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, raporton Ekonomia Online.

Veseli tha se Kosova është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe sundim të ligjit. Ai ka kërkuar nga shefja e BE-së që të rinjve tu mundësohet lëvizja e lirë.

“Kosova është e përkushtuar në progresin në integrimin e Bashkimit Evropian, lufta kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit do jetë e pakompromis. Kosova ka vetëm një drejtimi është integrimi në BE dhe NATO”

“…presim që përmes zonjës Apostolova të rinjtë tanë me Komisionin e ri Evropian tu njihet e drejta e tyre legjitime që të lëvizin lirshëm në tokën që i takojnë, në kontinentin e vet”.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se rruga e Kosovës për tu integruar në BE është shumë shkurtër, deri sa shtoi se në raportin e KE-së konfirmohet zotimin për zgjerim.

“Më lejoni edhe njëherë të iu them se me këtë raport të sotëm të Komisioni Evropian konfirmon zotimin për zgjerime dhe njëherë po e theksoj që rruga për shtetin tuaj për tu integruar në BE është shumë e shkurtë”.

“Liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për juve, por edhe për neve që ju ta arrini këtë, Komisioni dhe Parlamenti Evropian tashmë kanë propozuar që liberalizmi të ndodhë”, tha Apostolova.

Shefja e BE-së raportin do t’ia dorëzojë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit për vitin 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në raportin e tij për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Në raport përmendet edhe numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj.

“Rritja e tepruar e qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj”.

Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese. Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në raport thuhet e ka ende punë për tu bërë në këtë aspekt duke përmendur vendosjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të merrte pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Megjithatë, vendimi i Kosovës për të vendosur një tarifë prej 100% në importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka dëmtuar përpjekjet e bashkëpunimit rajonal”.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të revokojë tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina”.

“Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjore me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”.

Të ngjashme