Veseli: Prizrenit i duhet një menaxher si Shaqir Totaj

Prizren | 15 Nën 2017 | 19:41 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidati për të parin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në tubimin e sotëm elektoral ka thënë se prizrenasit kanë nevojë, mbi të gjitha, për një lider të mençur, të aftë dhe të përgjegjshëm si Shaqir Totaj.

Sipas tij, Totaj është njeriu që e do Prizrenin, që jeton dhe ndjen me Prizrenin, që e ka pasion dhe jetë Prizrenin, si dhe që Prizrenin e ka identitet të vetin dhe shquhet për sukseset e tij në edukimin akademik, në sport, kulturë dhe në tri dekada menaxhim.

Veseli është shprehur se Prizreni gjithmonë dhe në çdo kohë i ka bashkuar njerëzit, siç po bashkohen edhe sot i madh e i vogël, burra e gra, studentë e punëtorë, fermerë e arsimtarë, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë komune. E krejt kjo, sipas, tij, për t’i hapur rrugë edhe më të gjerë perspektivës dhe zhvillimit të këtij qyteti të veçantë për mbarë Kosovën.

“Prizreni gjithmonë ka qenë krenaria e Kosovës, simboli i bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike e ndërfetare. Është shembull dhe mburret me diversitetin etnik e kulturor. Nën qeverisjen e Shaqir Totajt, Prizreni do ta marrë statusin që meriton, statusin e qytetit më të zhvilluar në Kosovë. Sikurse më 22 tetor, edhe më 19 nëntor, verdikti i prizrenasve do të jetë i qartë, Shaqir Totaj kryetar”, ka thënë Veseli para mijëra simpatizantëve në Prizren.

Kreu i PDK-së ka thënë se Prizreni për PDK-në nuk është komunë e thjeshtë e Kosovës. Por, sipas tij, për gjithë Kosovën është shans dhe potencial i jashtëzakonshëm i transformimeve të mëdha ekonomike të vendit dhe kjo komunë e meriton një fuqi të madhe përkrahëse dhe udhëheqëse.

Veseli ka thënë se Prizreni përherë do të shquhet si qendër e kulturës, dijes, sportit e artit, me infrastrukturën më bashkëkohore, me stadium me modern, me qytet të restauruar historik, me turizëm, por edhe si qendër nacionale.

Ndërsa, kandidati për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, falënderoi të gjithë prizrenasit për përkrahjen dhe kërkoi mbështetjen e tyre të fuqishme duke dalë masivisht në vendvotime më 19 nëntor, për ta vulosur fitoren e PDK-së.

Totaj ka thënë se bashkë me partnerët po lëvizin sigurt drejt fitores së madhe të së dielës.

Përkrahje kandidaturës së Shaqir Totaj për kryetar i kanë dhënë edhe Lulzim Kabashi i AAK-së, Mahir Jagjilar i KDDP-së, Rasim Demiri i VAKAT-it, si dhe në emër të komunitetit rom, deputeti Albert Kinolli.

Të ngjashme