Veseli: Qeveria dështoi të menaxhojë situatën, Kosova ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 11:22 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë sot se Qeveria ka dështuar në marrjen e masave adekuate dhe në menaxhimin e situatës pas hapjes së pandemisë me Coronavirus.

Neglizhenca e Qeverisë për të testuar qytetarët që kanë hyrë në Kosovë nga vendet e prekura me Coronavirus, sipas Veselit, do të rrisë edhe më shumë numrin e të prekurve dhe siç tha ai, qeveria nuk e ka idenë e menaxhimit me këtë situatë të jashtëzakonshme.

Lideri i PDK-së kërkoi që të suspendohen për së paku tre muaj të gjitha kreditë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.

Ai tha se Qeveria duhet të dalë urgjent me pako stimuluese për bizneset që mos të lejoj kolapsim të sistemit.

Kreu i opozitës tha se gjendja në Kosovë tanimë është e jashtëzakonshme dhe PDK do ta mbështesë formalizimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deklarata e plotë e Kadri Veselit:

Si rezultat i deportimit dhe përhapjes së kësaj pandemie, është krijuar gjendja e jashtëzakonshme edhe në shtetin tonë. 
Kjo tanimë është fakt, pavarësisht a e shpallëm formalisht apo jo!

Mjafton të shohësh fshatrat e qytetet tona, mbylljen e shkollave, ndaljen e prodhimit, mbylljen e veprimtarive të shërbimit dhe shumicën aktiviteteve tjera socio ekonomike.

Por, ajo që na obligon të gjithë ne në këtë situatë është veprimi ynë që sa më shpejtë ta ndihmojmë vendin që ti kthehet normalitetit.

Kjo është përgjegjësi në rend të parë e Qeverisë, pastaj e gjithë neve.
Ne e dimë që dëmi akut është shëndetësor, por dhe socio-ekonomik.
Dhe ky dëm mund të lokalizohet dhe kontrollohet nëse veprojmë mencur dhe jemi të vendosur si shtet dhe shoqëri. Në të kundërtën, pasojat do të jenë më të rënda.

Meqenëse në Kosovë numri i të prekurve me Virusin COVID-19 po rritet, masat ekstreme janë të domosdoshme. Duhet të veprojmë, sa nuk është bërë tepër vonë. Për qytetarët, për ekonominë, për të ardhmen dhe shtetin tonë. Jemi në një situatë kur banorët e Vitisë, Klinës dhe të Malishevës janë të izoluar brenda qyteteve të tyre, perishane edhe ne Podujeve dhe kryeqendrën tone kemi te prekur, por kujdesi për këto komuna nuk është ai i duhuri dhe mbështetja nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, përballimi i tyre me këtë gjendje është i vështirë.

A ka dikush iluzione se kjo situatë, me përhapjen e virusit, nuk përshkallëzohet, nëse nuk merren masat ekstreme?
Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. 
Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim të tillë. Prandaj, PDK mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin.

Masat që Qeveria ka marrë deri më tash karshi përballjes me pandeminë, për fat të keq, nuk kanë qenë të mjaftueshme. Dhe, ne jemi të shqetësuar me rolin e qeverisë në këtë situatë, sepse me paaftësinë e saj menaxhuese dhe nënvlerërsimin – mund ta përkeqesoj më tutje gjendjen për qytetarët tanë.

Mos-kontrolli i rreptë i të gjithë atyre që vijnë nga vendet e prekura nga Virusi COVID-19, është gabim fatal. Neglizhenca e Qeverisë për të vepruar menjëherë për vendosjen e tyre në karantinë – përbën rrezik të madh për qytetarë tanë. Mos-aplikimi i testeve agresive, për t’i identifikuar të prekurit me virus të ardhur nga vendet me rrezik të lartë, e që do të ndikonte në parandalimin e përhapjes së virusit, është tregues i menaxhimit të keq që po i bëhet kësaj çështjeje.

Përveç shqetësimit për shëndetin publik , tashmë kanë filluar edhe shqetësime të tjera për qytetarët tanë.
Brengat e ekonomisë dhe bizneseve të vendit tonë janë duke u injoruar nga kjo Qeveri.  Ato nuk duhet lënë pa ide dhe vendimmarrje përkrahëse për ta, siç po ndodh aktualisht. Në këtë moment, sektori më i rrezikuar pa dyshim është sektori privat, punëdhënësi më i madh në Kosovë. 

Në mungesë të lëvizjes njerëzore dhe mallrave, bizneset private rrezikojnë që të kenë mungesë të qarkullimit në këtë fazë, duke rrezikuar qindra mijëra vende të punës. Por rrezikojnë edhe furnizimin! Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të ofrojë një program stimulues financiar për sektorin privat. Për t’u siguruar dhe garantuar se qytetarët e Kosovës nuk do t’i humbin vendet e punës, dhe mbi të gjitha që në fund të muajit të kenë pagën e tyre.  Gjithashtu masat e propozuara për sektorin bankar nga Qeveria e Kosovës janë të pamjaftueshme, duke dëmtuar rënd qytetarin, biznesin, por edhe vetë bankat komerciale. 
Bankat duhet të ofrojnë ri-programim të kthimit të kredisë për të gjithë qytetarët dhe bizneset. 

Qeveria, së bashku me Bankën Qendrore dhe bankat komerciale, duhet të ofrojnë një hapësirë më të madhe sigurie, sidomos për sektorin privat.
Është me rëndësi që Ministria e Financave të bëjë pagesat për të gjithë operatorët ekonomikë që janë të kontraktuar, për të siguruar që ekonomia jonë vazhdon të stimulohet.

Është edhe një situatë tjetër që kërkon vëmendjen tonë në këtë fazë e që është largimi i mbështetjen amerikane për Kosovën. Ku shenjat e para janë evidente me suspendimin e programeve mbështetëse në vlerë prej qindra miliona euro. Largimin e një investimi gjigant ekonomik dhe largimin potencial të forcave amerikane nga vendi ynë. 

Por për këtë çështje më rendësi, do të flasim gjatë ditëve tjera në vijim.

Të ngjashme